Bleona, krijuesja dhe talentja shumëdimensionale

Intervistoi: Mehmet Latifi/INA

Në ndërrimin e motmoteve, nga një bisedë rasti me një veprimtare të re dhe të gjithanshme, krijuese letrare në prozë e poezi, studente, duke u përgjegjur pyetjeve të bisedës, ose intervistës jokonvencionale për Agjencinë INA, ajo shprehu pikëpamjet e saj për Strugën, krijimtarinë, aktivitetet e nduarduarta, jetën studentore, Tetovën ku studjon, për plagën që gjakosë-largimin e rinisë nga vendlindja dhe mesazhi i saj për vitin që sapo hapëruam…

 

INA: Si është Struga dhe si duhet të jet, ose çfar kishit ndryshuar nga Struga sot?

Blerona Brao:  Struga sinonim i kulturës shqiptare, Struga- shtrati dhe dhimbja e Drinit të Zi. Struga nëna e dialekteve të Gjuhës Shqipe,Struga kërthizë e atdheut të coptuar Shqipërisë. Nëse do shkruaja veç e veç për gjithçka që thash më sipër, do më duhej më shumë se një jetë kohë, por mua si strugane më zgjohet brenda shpirtit gjithçka që i është thënë dhe nuk është thënë për qytetin tim, veçsa kujtoj emrin e saj. Struga është e papërthekueshme me fjalë poetike; ajo është shpirti dhe miti i poezisë shqiptare. Edhe në të ardhmen Struga duhet të mbetet Strugë! Do kisha kthyer së prapthi vetëm rrugën e mërgimtarëve, të tjerat le të zhvillohen sipas proceseve të kohës.

INA: Je krijuese e re, dy tre fjalë për krijimtarinë tuaj?

Blerona Brao:  Si strugane kam privilegjin apo fatin e traditës të krijuesve më të hershëm të qytetit tim, që edhe unë t’i bashkohem krijuesve të këtij vendi poetik. Poezin e kam më afër shpirtit, prandaj aty zë fill krijimtaria ime letrare. Kam përfunduar dhe e kam botuar një roman me titull “Dashuri Nëntorësh”, përmes së cilit ma merr mendja që kam prekur të gjitha qelizat e krenarisë dhe dhimbjes strugane. Herë-herë përpara lexuesve shqiptarë jam paraqitur edhe me shkrme publicistike. Shpresoj të vazhdoj rrugën e nisur në fushën e krijimtarisë letrare dhe të jem gjithsesi një hallkë e zinxhirit të pafill dhe të pafundmë të krijuesve artistik strugan.

INA: Veprimtare, aktiviste…?

Blerona Brao:  Paraqitem shpesh para publikut artdashës shqiptar, si në Strugë, Tetovë etj. Ndonjëherë recitoj poezi të autorëve që më pëlqejnë, ndërsa kohët e fundit kam shfaqur përpara publikut strugan një fragment të monodramës “ Kësulëbardha”, të cilën së shpejti do ta vë komplet në skenë. Ndërsa këtë vit, në konkursin letrar “Tetova Feston Nëntorin 2016” në lëmin e poezisë fitova çmimin e parë. Dhe për këtë jam shumë krenare, që arrita në mesin e shumë krijuesve tetovarë të sjell frymën e poezis së liqenit. Dhe domosdo do isha fituese.

INA: Je studente, disa fjalë për jetën studentore dhe gjithçka që mendon se duhet të përfshihet me nocionin “student”?

Blerona Brao:  Fatmirësisht që jam studente,” fatkeqësisht” që jam studente! Njëra apo tjetra, të dyja bashkë janë të njëra-tjetrës. Paradoks ose jo, edhe studentët janë pjesë e proceseve politike tranzitore që su duket as filli as caku! Por besoj, ndryshe nuk do të isha këtu ku jam që unë dhe brezi im me punën titanike që po bëjmë do jemi një gur i rëndë dhe i paluhatshëm në kështjellën e arsimit dhe kulturës shqiptare.

INA: Jeta kulturore, a mund të bësh një krahasim për jetën kulturore në Strugë dhe Tetovë?

Blerona Brao:  Krahasimet në kulturë gjithmonë mbesin të pakrahasueshme; secili vend ka përparësit dhe mangësit e veta. Pra, edhe Strugës i mungon pak Tetovë, edhe Tëtovës i mungon pak Strugë!

INA: Rinia, cili është mendimi dhe vlerësimi lidhur me largimin e rinisë nga vendlindja? Cilat janë shkaqet e kësaj plage që po gjakosë dhe perspektivat?

Blerona Brao:  Fati i rinisë shqiptare është i lidhur ngushtë me fatin e atdheut të vetë. Mendoj që gjendja aktuale (në dukje) e paperspektivë e zhvillimit ekonomik të gjithmbarshëm kombëtar( në disa pjesë të atdheut –akoma të pushtuar gjendja pasqyrohet edhe më e rëndë) ndikon fuqishëm në shpërnguljet masive të rinisë shqiptare. Perspektivën unë si pjesë e kësaj gjenerate që “shpëtimin” e sheh në lidhjet e martesave “elektronike”, e shoh në arsimimin e brezave të ri,në punësimin e mundshëm, qoftë edhe në fusha jopërkatëse profesionale dhe në bindjen shpirtërore se gjithçka, e mira dhe e keqja për njeriun mbetet vendlindja e tij.

INA: Mesazhi juaj për vitin që e lam dhe ate që sapo hapëroi?

Blerna Brao:  Fundviti… Pa mundur të gjej peshoren e balancimit real të humbjes dhe fitores, shpresoj në epërsi të jetë kjo e dyta, pra fitorja. Mesazhi për vitin tjetër është i thjeshtë: Uroj të jemi të shëndetshëm dhe sa më racional me shfrytëzimin e kohës. (INA)

bleona2

 

Comments

comments