16 vjet pa Naser Hanin. E vranë forcat e sigurimit maqedonas

Nga Ylber Hasani 

Naser Hani lindi në Veleshtë të Strugës më 15 gusht 1958, në një familje me traditë patriotike. Qysh në moshë të re u angazhua në lëvizjen e rinisë shqiptare për të drejtat e tyre legjitime në ish-Jugosllavi. Si student ishte ndër pjesëmarrësit dhe organizatorët e rradhëve të para të demonstratëve të vitit 1981.

Qysh nga ajo filloi përndjekja e tij nga UDB-ja. Më vonë pason burgosja dhe izolimi i tij nga pushteti i atëhershëm jugosllav. Aty i përballoi torturat me dinjitet dhe qëndroi i papërkulur sikurse deri në momentet e fundit të jetës së tij.

Përkundër kësaj, ai vazhdoi aktivitetin e tij edhe më pas duke ndihmuar në shumë mënyra rezistencën e rinisë shqiptare në luftë për liri dhe pavarësi . Në momentet më të vështira, ai u gjend pranë aktivistëve të çështjes shqiptare duke i ndihmuar ata konkretisht dhe me ide nga të cilat çështja shqiptare përfitoi shumë.

Të panumërt janë veprimtarët të cilët e njohën birin trim të Veleshtës, këshillën e tij të saktë, fjalën e tij që bashkonte, dhe mbi të gjitha ndihmën e tij të pakursyeshme. Për shkak të aktivitetit të tij të çmueshëm patriotik për të drejtat e shqiptarve në Maqedoni në vitin 1993 detyrohet të emigrojë në Austri.

Kështu e njohem edhe ne Naser Hanin në Vjenë, ku vijoi studimet pasdiplomike në ekonomi. Edhe këtu si çdoherë dhe çdokund dëshmoi se njeriu mund të bëjë shumë për vendin e tij në çdo kohë dhe në çfardo situate.

Ai ishte rithemelues dhe drejtues i parë i Shoqërisë Studentore “Societas Albania“ e cila kishte ekzistuar më parë në vitet e 1920-ta në Austri. Dëshirë dhe qëllim i tijë ishte që nëpërmjet të kësaj shoqate përveç një organizimi më të mirë në interes të studentëve, të krijohej një organizim që në ato vite të vështira të poshtrimit të qenjesë shqiptare sadopak do të shtronte rrugën për arsimim nëpër universitetet e Evropës, mundësi kjo që deri në atë kohë ka qenë pak e njohur për shqiptarët.

Ai ishte njeri i dashur dhe optimist që studentëve iu gjend pranë me këshilla dhe ndihmë konkrete. Një kontribut të veçantë dha për unifikimin e

diasporës shqiptare në Austri. Ndihma e konsiderueshme e kësaj pjese të diasporës shqiptare dhënë luftës çlirimtare të UÇK-ës në Kosovë është në

rradhë të parë meritë e kontributit të tij të palodhshëm në kuadër të “Bashkësisë Shqiptare“ në Austri, njëri nga themeluesit dhe drejtuesit e së

cilës ishte Naser Hani. Fjala e tij u bë zëri më bindës për bashkim në përkrahje të luftës çlirimtare.

Gjatë gjithë jetës së tij për Moto pati mendimin „gjithçka për atdheun“. Me këtë ndjenjë dhe qëllim u kthye përfundimisht në Stugë në vitin 1998. Aty ishte një nga udhëheqësit e degës së PDSH -ës dhe drejtor Entit për Çështje Sociale.

Eliminimi i tij fizik (12.06.2001) nga Forcat e Sigurimit Maqedon  tregon se edhe armiqtë e popullit shqiptar kanë evidencuar një kohë të gjatë vlerën dhe aftësitë e tij. Në luftën e drejtë të shqiptarëve për liri dhe barazi kombëtare në Maqedoni, vetë ekzistenca e një njeriu të tillë paraqiste rrezik. Ai ishte i bindur në realizimin e qëllimeve të drejta të popullit shqiptar çështje për të cilën vuri në funksion edhe jetën e tij. Si për të gjithë ata që e njohën edhe për ne, ai do të jetë njeriu më i paharruar, një nga

heronjtë e heshtur të dy dekadave të fundit të zhvillimit të çështjes shqiptare.

Naser Hani nuk u thye asnjëherë në jetë para asnjë presioni, atë nuk arritën ta kindapojnë, sepse një njeri i tillë mund të vritej, por jo të gjunjëzohej. Ai la tre fëmijë, të cilët do të rriten krenarë për babain e tyre, që pati shpirt të donte jo vetëm të ardhmen e tyre, por vuri jetën e tij në funksion të ardhmërisë së popullit shqiptar. Për ata që e njohën do të ngelë shembull se si duhet atdheu.

 

Comments

comments