19 vjet nga vrasja e Enver Malokut, shpresat te Gjykata Speciale!

0

Sot është 19 vjetori i vrasjes së gazetarit, publicistit dhe veprimtarit të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Enver Maloku.

Edhe pse është njëra ndër vrasjet e bujshme që ndodhen në vend, institucionet e drejtësisë në Kosovë ende nuk kanë zbuluar autorët e ligj të këtij krimi.

Gazeta ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për të pyetur deri ku kanë shkuar me hetime për rastin në fjalë, por askush nuk është përgjigjur.

Në LDK thonë se ata nuk presin zbardhjen e kësaj vrasje nga ana e institucioneve vendore. Për këtë, sipas deputetëve të këtij subjekti politik duhet të merret Gjykata Speciale me seli në Holandë që shumë shpejt pritet të fillojë me aktakuza të para ndaj atyre që dyshohet se mund të kenë kryer krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Image

Naser Osmani

“Vrasjet politike gjithmonë kanë ndërhyrje dhe ndikime politike dhe kjo ka bërë që hetuesia ose prokuroria të mos jetë në nivelin e duhur për zbardhjen e rastit të veprimtarit, Enver Maloku”, thotë Naser Osmani deputet i LDK-së, për “Bota sot”.

Ai shton, se për shkak të ndërhyrjeve politike, ky rast duhet të hetohet nga Gjykata Speciale.

Madje, sipas tij kjo hyn brenda kornizave të afateve kohore të këtij institucioni.

“Vrasja që ka të bëj me Enver Malokun është brenda kornizës së afateve kohore që e ka Gjykata Speciale, me kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi. Pra, është brenda periudhës së kompetencave që kuvendi i Kosovës ia ka dhënë speciales dhe unë konsideroj që ka me qenë njëra ndër rastet e para të vrasjeve politike që duhet të trajtohet dhe që do të trajtohet fatkeqësisht, sepse kjo është dashur të bëhej nga organet e drejtësisë vendore”, shtoi Osmani.

Image

Lumir Abdixhiku

Kurse, deputeti tjetër i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku thotë se përvjetori i vrasjes së Malokut është përgjegjësi për kërkimin e zbardhjes së vrasjes.

“Përvjetorët e tilla janë gjithmonë të dhimbshme për LDK-në, por në të njëjtën kohë na rikujtojnë përgjegjësitë që duhet t’i kemi përherë në kërkim të zbardhjes se rasteve të tilla”, thotë Abdigjiku për “Bota sot”.

Sipas ligjit, Dhomat e Specializuara kanë juridiksion kohor mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000, që e përfshin vrasjen e Malokut që është bërë më 11 janar të vitit 1999.

Image

Gazmend Islami

Maloku ishte një ure lidhëse mes LDK-së dhe UÇK-së

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat për Kosovë, Gazmend Islami thotë se Maloku u vra pasi që ai ishte një urë lidhëse ndërmjet së krahut të LDK-së me strukturat e UÇK-së.

“Mendoj se me fillimin e luftës në Kosovë kanë nisur edhe përgatitjet e para për eliminimin e njerëzve të cilët kanë pasur ndikim të madh, edhe tek LDK-ja, por edhe tek strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra mendoj se Enver Maloku ka qenë një urë lidhëse mes dy krahëve dhe kjo ka qenë pengesa kryesore që ka çuar në eliminimin e tij”, thotë Islami për “Bota sot”.

Ai thotë, vrasja e tij nuk është zbuluar, sepse ka munguar vullneti politik.

“Mendoj se vrasësit e tij nuk janë zbuluar deri më tani, sepse drejtësia dhe askush nga shteti i Kosovës nuk ka marrë një iniciativë të tillë, sepse ka munguar një vullnet politik”, thotë më tej Islami.

Islami fajëson edhe LDK-në që sipas tij, edhe ajo nuk ka bërë mjaftueshëm në zbardhjen e vrasjeve politike.

“Me keq ardhje e them se kësaj i ka paraprirë edhe LDK-ja sepse për më shumë se 10 vite ka qenë në pushtet, ka pas edhe kryeministrin dhe ka mundur të iniciojë për zbardhjen e këtij rasti që është një vrasje shumë enigmatike”, tha ai.

Drejtësia në Kosovë e politizuar

Islami thotë se organet e drejtësisë janë të politizuara. Për këtë ai bën fajtor kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli gjatë kohës sa ishte udhëheqës i SHIK-ut.

“Mendoj, se në drejtësi ka ndërhyrja, sepse SHIK-u ka krijuar të gjithë drejtësinë. Ne e dimë që emërimet e para në vitin 99, pra menjëherë pasluftës janë bërë prej strukturave të UNMIK-ut bashkërisht me njerëzit të cilët i ka udhëhequr Kadri Veseli. Kështu që gjyqësia, prokuroria dhe gjykatat, brenda Kosovës janë pothuajse 90 për qind që kontrollohen nga SHIK-u”, shtoi Islami.

Image

Rexhep Shahu

Edhe publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu që është njohës i mirë i zhvillimeve politike në vend, thotë se organet e drejtësisë janë të kapur nga politika.

“Natyrisht që vrasësi, dorasi apo urdhëruesi ka dorë të zgjatur në pushtetin e drejtësisë dhe në gjithë pushtetet e tjera ndaj nuk zbardhet kjo vrasje, nuk artikulohet e mbushet me trille”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Ai thotë se vrasja e Enver Malokut është ndër vrasjet e bujshme që ndodhen në Kosovë.

Sipas tij, kjo vrasje është turp për të gjithë shqiptarët.

“Zbardhja e të vërtetës është e vështirë pasi është e vërtetë që fshihet mes nesh, nuk është vrasje që e bënë serbët apo rusët, por vrasje që hyn në vëllavrasjet e shqiptareve, pavarësisht se nuk dihet saktë as dorësi as urdhëruesi. Të paktën kjo është një ndër ato vrasjet që rri mbi kokën e shqiptarëve si turp qe i turpëron të gjithë pushtetarët. Kjo vrasje është në kuadër të atyre mallkimeve apo qërimeve të hesapeve nga pushteti i ri, është një nga atentatet e fëlliqte të luftës për pushtet”, shtoi Shahu.

Image

Skender Zogaj

Shteti nuk po merret me fatin e atyre që u vranë politikisht

Nga ana tjetër, publicisti Skender Zogaj fajëson shtetin e Kosovës që sipas tij nuk po merret për të zbuluar fatin e atyre që dhanë edhe jetën e tyre për Kosovën.

“Po kalojnë vitet dhe shteti i Kosovës po vazhdon të mos merret me fatin e bijve dhe bijave të veta më të mira, me figurat më të devotshme të cilat kanë dhënë gjithçka nga vetvetja për popullin dhe atdheun e tyre, ndërsa e kanë marrë “shpërblim” plumbin nga dora e tradhtisë dhe heshtjen e institucioneve të shtetit për të cilin janë flijuar”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Ai thotë se kjo është e pakuptimtë dhe trishtuese, sepse, këput çdo shpresë për ecjen përpara të vendit.

“Po mbushen 19 vjet që dora e tradhtisë ia shoi jetën Enver Malokut, figurës emblematike të demokracisë së Kosovës dhe të fjalës së lirë që e përhapi për t’i dhënë kushtrim mposhtjes së robërisë shekullore dhe çlirimit të vendit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, thotë Zogaj.

Ai ka theksuar, se mos zbardhja e vrasjes dhe zbulimi e dënimi i vrasësve janë qëndrim kriminal, sepse mbrojnë kriminalitetin dhe kriminelët, të cilët, siç po vërtetohet janë shume të fortë dhe se e kanë kapur shtetin, duke mos e lejuar që të funksionojnë shteti ligjor dhe të sundojë drejtësia.

“Nuk ka shpjegim tjetër që nuk zbulohen vrasësit e Enver Malokut, bashkëpunëtorit të Presidentit Rugova, themeluesit të LDK-s dhe shefit të Qendrës për Informim të Republikës së Kosovës, së cilës i takon merita historike e informimit të botës për Kosovën dhe ngjarjet në Kosovën e okupuar dhe gjatë luftës. Vrasja e Enver Malokut sipas të gjitha gjasave është vrasje e pastër politike”, ka potencuar.

Ai madje e konsideron të dështuar drejtësinë në Kosovë.

“Drejtësia kosovarë ka dështuar me Enver Malokun dhe shpresa është që, të paktën të veproj Gjykata Speciale, e cila ka mundësinë që të zbulojë vrasësit dhe t’ua shqiptoj emrat. Kaq, asgjë më tepër. Sepse, mbi të gjitha është që të kuptohet e vërteta e vrasjes së Enverit, që populli ta kuptojë se kush janë vrasësit dhe kush çlirimtaret! Dënimi për vrasësit është i ditur, mallkimi dhe urrejtja në kujtesën e përbotshme historike, sepse, vrasjet politike të kohës së luftës dhe të pasluftës në Kosovë, janë vrasjet më të zeza në gjithë historinë shekullore shqiptare”, shtoi Zogaj.

Ndryshe, Enver Maloku është vrarë më 11 janar të vitit 1999 nga persona të panjohur teksa po kthehej në banesën e tij në lagjen “Bregu i Diellit”.

Ndryshe, sot Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës bashkë me Familjen Maloku, duke filluar nga ora 11 bëjnë homazhe te Monumenti i Enver Malokut në Breg të Diellit, në 19 vjetorin e vrasjes së tij.

Komentet

komentet