Abrashi humbës në debatin e parë përballë Shpend Ahmetit

Debati i mbrëmshëm mes dy kandidatëve për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmetit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arban Abrashit nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngjallur shumë reagime dhe komente nga më të ndryshmet, shkruan arbresh.info.

Ai që u komentua më së shumti ishte Arban Abrashi dhe qëndrimi i tij në debat.

Gjatë kohës së debatit Abrashi u fokusua në telefonin e tij ku vazhdimisht e shikonte dhe shkruante në të.

Për këtë gjë, analistët mendojnë që fokusimi i tij në telefon e shtoi pasigurinë e tij.

Imer Mushkolaj, analist politik, për “arbresh.info” tha se Shpend Ahmeti ka dominuar plotësisht në debatin me Ahmetin.

“Debati i mbrëmshëm, më la përshtypje se zotëri Abrashi ishte i pasigurtë edhe në kritikat që ia bënte Ahmetit por edhe në mënyrën që i artikulonte planet dhe projektet e tij për të ardhmen. Nga ana tjetër Ahmeti ishte mjaft i sigurtë. Ai dominoi plotësisht në debat, natyrisht i ka ndihmuar edhe të qenit kryetar 4 viteve të kaluara dhe në një farë forme ishte më bindës se sa Abrashi. Abrashi ma la përshtypje që rastësisht kaloi nga Klani dhe e kanë ndalu në emision”, ka thënë Mushkolaj.

Për qëndrimin e tij në telefon, Mushkolaj tha se ka krijuar perceptim negativ tek publiku dhe se sipas Mushkolaj ai merrte instruksione nga jashtë se çfarë të fliste.

“Gjatë gjithë kohës ishte i fokusuar në telefonin e tij mobil gjë që ia shton pasigurinë. Ai ia la të kuptoj publikut që gjatë gjithë kohës merrte instruksione se çfarë të thoshte dhe kjo e dezorientonte dhe nuk ishte me mendje aty. Në debate të tilla përdorimi i telefonit është një element negativ dhe krijon perceptim negativ tek publiku dhe në të njëjtën kohë nuk e respekton bashkë-biseduesin”, tha Mushkolaj.

Debati i shumëpritur mes Ahmetit e Abrashit u komentua shumë edhe në rrjetin social “Facebook”.

Analisti Donik Sallova ka ironizuar me përdorimin e telefonit nga Arban Abrashi në debat.

“Unë studentëve të mi në provim u them se çdo telefon që e shoh vërdallë, mbi apo nën bankat tuaja, e konsideroj si mjet kopjimi dhe automatikisht përjashtoheni nga provimi! Arbanit s’po ia dojka pa telefon…”, ka shkruar ai në Facebook.

Debati ka marrë shumë komente edhe nga vetë publiku e sidomos përdorimi i telefonit nga Abrashi ka marrë kritika të ashpra.

Balotazhi për Prishtinën shihet të jetë gara më e fortë nga 19 komunat që kanë shkuar në balotazh.

Zgjedhjet për balotazh pritet të mbahen të dielën me 19 nëntor./arbresh.info

Comments

comments