Adnan Ismaili shkruan letër: E vërteta për aktivitetin tim dhe për BESËN?!

0
8

Letër e hapur
(sqarim për opinionin)

Të nderuar,
Meqë është bërë një kohë më e gjatë që emri im përflitet në kontekst të politikës shqiptare në Maqedoni, për fat të keq edhe me nota negative dhe shpeshherë fyese, por edhe për arsye se tashmë disa media më kanë kontaktuar për të marrë prononcimin tim në lidhje me këto përmendje, ndjej detyrim intelektual dhe njerëzor të shpjegoj ca gjëra.

Unë, Adnan Ismaili, jam pedagog në Universitetin e Tetovës dhe drejtues i SHB “Logos-A” nga Shkupi. Meqë për vite të tëra, përveç afirmimit të kulturës shqiptare, kam vepruar edhe në fushën e humanitetit dhe bamirësisë, kam krijuar miq gjithandej dhe jam i lumtur për të kaluarën time.
Sa i takon politikës, deri tash nuk kam qenë anëtar i asnjë partie politike, por kam ndihmuar gjithnjë kur kam besuar te partitë e caktuara. Fjala bie, i kam ndihmuar me aq sa kam mundur PPD-së, duke qenë i bindur se ajo ishte lëvizje popullore shqiptare. Pastaj i kam ndihmuar PDSH-së, duke besuar në nacionalizmin e artikuluar nga i ndjeri Arbën Xhaferi, një mik i imi dhe, përgjithësisht, mik i librit. I kam ndihmuar edhe BDI-së, duke qenë i bindur se ajo ishte një parti që erdhi përmes UÇK-së dhe duke pasur parasysh sakrificën e bijve më të mirë të kombit, kam ndihmuar ku e si kam mundur dhe as për këtë nuk jam penduar kurrë. Po ashtu e kam ndihmuar edhe Lëvizjen BESA, duke besuar se ajo përfaqësonte një identitet autokton të shqiptarëve të Maqedonisë dhe duke e respektuar vullnetin e të rinjve shqiptarë që iu bashkuan asaj. Është fakt edhe ajo që një pjesë e këtyre të rinjve, që e kanë udhëhequr Lëvizjen BESA, i kam njohur që nga mosha shumë e re, jam interesuar për ata që të edukohen dhe arsimohen me vlera të larta morale dhe kombëtare. Si edhe shumë të tjerë, edhe ata i kam konsideruar shokë dhe jam përpjekur që ata të zhvillohen në personalitete që do të shërbejnë në ngritjen e vlerave të mirëfillta njerëzore në nënqiellin tonë. Në mesin e tyre bëjnë pjesë edhe kryetari i deritanishëm i Lëvizjes BESA, si dhe disa anëtarë të Kryesisë. Asnjëherë prej tyre nuk kam kërkuar asgjë, pos që t’i shërbejnë me dinjitet dhe njerëzillëk të mirës sonë të gjithmbarshme. Por, gjërat sot kanë degjeneruar mbase dhe për disa prej tyre tash jam bërë një “person i apostrofuar”, ngase ata pa peris në gojë më përmendin dhe më ulin në bankën e të akuzuarit për gjëra që unë nuk kam asnjë lidhje. Po, e vërtetë është se me disa nga drejtuesit e Besës jemi takuar shpesh, kemi biseduar e diskutuar se çfarë mund të bëhet e si mund të ndihmoj edhe unë, por në asnjë rast nuk kam besuar se disa nga këta djem do të shkelin mbi të gjitha parimet njerëzore dhe, duke më marrë mua karshi, do të përpiqen të realizojnë agjenda që nuk di se kujt i shërbejnë. Sipas meje, ky grup i vogël e kanë marrë tërkuzën nëpër këmbë, i kanë tradhtuar parimet me të cilat dikur mburreshin dhe sot nuk e përmbajnë dot veten për t’i implikuar të gjithë ata që mbase dikur edhe u kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme. Nuk po flas për bukëshkalët, se ajo është në kategori tjetër të debatit, por do të doja t’ia bëj me dije opinionit se Adnan Ismaili as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të jetë pjesë e asnjë loje politike që e bëjnë partitë e caktuara.

Unë do ta respektoj secilën parti politike, së paku aq sa ato kanë respekt për interesin e përgjithshëm të popullatës, ndërsa në asnjë mënyrë, karakteri im nuk ma lejon, nuk do të pajtohem me të gjithë ata që, si rrjedhë e egocentrizmit të tyre dhe shërbimit ndaj agjendave të ndryshme, do të përpiqen të shkaktojnë dëme. Në asnjë mënyrë nuk mund të rri rahat kur njerëzit që kam pasur shpresë se janë edukuar ndryshe, sot bashkë me persona të tjerë të kërcënojnë dhe të ushtrojnë dhunë. Dhe, në këtë kontekst, lajmi se prof. Nexhbedin Kahremani – një profesor i nderuar universitar, tashmë është drejtues i Besës, për mua është një sihariq se megjithatë ka shpresë për politikën shqiptare në Maqedoni derisa ajo i respekton intelektualët e denjë dhe dinjitozë.

Sidoqoftë, dëshiroj t’i lus ata që kanë edhe një fije respekti për mua, por pse jo edhe gjithë opinionin publik, që të mos abuzojnë me emrin tim, ndërsa në lidhje me procesin që tashmë po zhvillohet në Besa uroj të kalojë sa më mirë, pa probleme dhe telashe. I tërë opinioni duhet ta dijë se unë në asnjë mënyre nuk e pranoj dhe nuk do ta pranoj dhunën dhe pasionin për pushtet të disa personave që, si pasojë, sjell shkatërrimin e tërë procesit të veprimit demokratik në mesin e shqiptarëve. Kurrë nuk e kam bërë këtë dhe gjithnjë do të jem kundër kësaj. Prandaj, duke qenë i bindur se veprimet e këqija nuk i shërbejnë askujt, u bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen, të mos e ulin nivelin e komunikimit e mos ta nëpërkëmbin dinjitetin e dikujt tjetër dhe ta lëndojnë zemrën e kujtdo qoftë. Politika, besoj unë, i ka normat e saj, që rregullohen përmes procedurave demokratike, që procesi të përfundojë ashtu si u ka hije njerëzve me dinjitet.

Fundja, fjalët janë si gozhdat e ngulura në dru: edhe nëse pastaj pendohesh dhe i heq, gjurmët mbeten. Unë nuk do të doja të lëmë gjurmë të këqija pas vetes.

Me nderime!

Adnan Ismaili
Shkup, 11.01.2018

Comments

comments