Ahmeti: Ja kush po tenton ti blejë votat me para

Me fitoren e BDI-së, fitojnë qytetarët. Fitorja në Tetovë e Teuta Arifit është fitore për tetovarët, ashtu siç është fitore për qytetarët edhe fitorja e gjithë kandidatëve të BDI-së në të gjitha komunat ku garojmë, ka thënë lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në emisionin “Zigzag” në Art Channel.
“Të gjithë duhet të investojmë që zgjedhjet të jenë të lira, të mos manipulohen dhe keqpërdoren votuesit me oferta të rrejshme dhe me të mira materiale. të mos tregti dhe tregtim me votën e qytetarëve. Kam informacione se po bëhen përpjekje për të manipuluar me një pjesë të elektoratit, me hallexhinjtë nga shoqata humanitare që janë pjesë e një subjekti politik të sofistikuar me shoqata të dyshimta… Apeloj që qytetarët të zgjedhin kandidatin e duhur. Edhe në Shkupin e Vjetër, apo në Çair siç e njohim, ne kemi përparim mjaft të dukshëm nga viti 2016, dhe pa diskutim se jemi fitues, sepse garojmë kuadër të ri, të përgatitur që i qëndron pas një ekip profesional, dhe me mbështetje nga e gjitha Qeveria, jo vetëm për kandidatin tonë në Çair, por edhe për kandidatët tjerë ku garojmë”,ka thënë Ahmeti.
Lideri i BDI-së ka folur edhe për humbjen e Komunës së Dollnenit, ndërsa shpreson që kësaj radhe, shqiptarët bashkë me komunitetet e vogla të bëhen bashkë dhe të marrin në duart e tyre fatin e kësaj komune. “Jam takuar me banorët e Dollnenit dhe më ka interesuar se çfarë po ndodhë atje. Për fat të keq, atje garojnë gjashtë kandidatët në atë vend aq të vogël. Tani përpjekjet tona janë dhe ma do zemra që andej të fitojnë shqiptarët dhe komunitetet më të vogla – boshnjakët, turqit…, por kjo varet nga ndërgjegjësimi i tyre që ata të marrin fatin në duart e veta”. (INA)

Comments

comments