Ahmeti: Koalicioni i ‘krahut të luftës’ i natyrshëm

Ahmeti: Koalicioni i ‘krahut të luftës’ i natyrshëm

Në kohën e zgjedhjeve të parakohshme të cilat u caktuan me 11 qershor nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas rrëzimin të Qeverisë, filloi lufta se kush do të fitojë zgjedhjet, madje një frymë fushate u ndje po atë ditë kur u bë mocioni i mosbesimit.

Pastaj u formuan koalicionet parazgjedhore PDK-AAK-Nisma, LDK-AKR-Alternativa dhe Vetëvendosje si parti e vetme për të kandiduar në këto zgjedhje.

Njohësi i çështjeve politike Xhemal Ahmeti ka thënë për ORAinfo se, koalicioni PDK–AAK-Nisma është koalicion tejet i natyrshëm dhe është kërkuar rregullisht nga bazat e këtyre partive.

Sipas tij, tërheqja e Kadri Veselit e mundësoi këtë dhe kjo do të ndikojë në mobilizimin e të ashtuquajturit “krah i luftës” dhe atë jo vetëm për zgjedhjet aktuale.

Ndërkaq koalicioni LDK-AKR-Alternativa sipas Ahemtit, është i panatyrshëm, sidomos pas deklarimeve të Pacollit në lidhje me BE-në.

“Kjo dëshmon se konceptet si në relacion me ekonominë ashtu edhe në rrafshin politik ose janë të kundërta ose partia më e madhe nuk e merr seriozisht inkuadrimin e saj në qeverisje, por i duhet për arsye tjera”, thotë Ahmeti për ORAinfo.

Ahmeti nuk e sheh aspak mirë ndarjen e dy blloqeve politike pasi sipas tij, këto nuk janë ndarë për arsye të ofertave se kush dhe si donë ta ndërtojë Kosovën, por sipas motivit historiko-ideologjik që artikulohet në dy “nofkat”, krahu i luftës dhe ish-jugosllavët.

“Që të dyja këto nofka nga njëra anë nuk qëndrojnë kështu: E para e gjithë Kosova ishte në luftë dhe e dyta pacifistët nuk i vulosim do apriori si besnikë jugosllav. Përkundrazi. Secili tabor ka meritat e tij që Kosova është këtu ku është: e pavarur”, thotë Ahmeti, duke përkrahur ndarjen e blloqeve në bazë opsionesh si në SHBA e jo artificialisht.