Ahmeti po krijon teren të largohet nga Zaevi, BDI akuzon se LSDM po takohet me VMRO-në!?

VMRO-ja e Nikolla Gruevskit dhe LSDM-ja e Zoran Zaevit kanë nisur takimet intenzive mes vete kundër “Platformës Shqiptare” dhe shqiptarëve në Maqedoni.

Këto takime bëhen jashtë syrit të opinionit për të penguar “Platformën Shqiptare”.

Të pyetur nga portali TetovaSot BDI-në e Ahmetit thonë se kanë informacione për takime të tilla ditëve të fundit. “Kemi informacione se Zoran Zaev dhe Nikolla Gruevski kanë pasur disa takime ditëve të fundit” thonë për TetovaSot nga BDI-ja e Ahmetit duke mos e komentuar më shumë.

Siç duket  “Deklarata Shqiptare” e iniciuar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti  ju ka ngelur në fyt liderëve maqedonas, ku tani kanë nisur edhe të bashkëpunojnë për të penguar idenë e Ali Ahmetit për çështjen shqiptare në Maqedoni.

Lideri i BDI-së Ahmeti vazhdimisht ka qenë i këmbëngulur rreth kësaj deklarate, duke theksuar se  nuk do të lëshojë pe në asnjë pikë sa i përket avancimit të shqiptarëve, gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe barazisë ekonomike të një shteti të barabartë mes shqiptarëve dhe maqedonaseve.

Nga ana tjetër nënkryetarja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska ka mohuar se ka pasur takime të tilla. Sheqerinska tha se kreu i saj nuk ka pse të takohet me Nikolla Gruevskin, duke shtuar se këto informata burojnë nga qendra propaganduese e VMRO DPMNE-së dhe kanë për qëllim përçarjen e shumicës parlamentare.

“Praktikisht, ne tërë kohës kemi kontakte me kolegët e grupeve të tjera parlamentare, por takime zyrtare ose të fshehta mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së nuk ka pasur. Mendoj se propaganda e VMRO DPMNE-së në disa raste dëshiron të lëshojë fluska testuese të opinionit, të tilla me qëllim që të krijojnë një dozë mosbesimi mes partive pjesë të shumicës parlamentare, por edhe mes LSDM-së dhe opinionit. Për çfarë duhet të negociojmë ne me VMRO – DPMNE-në? Për diçka që është princip themelor në demokraci, për atë se kur i humb zgjedhjet duhet të lënë pushtetin?” tha Shekerinska.

Ndryshe VMRO-ja e Gruevskit vazhdon të protestojë kundër idesë së Ali Ahmetit – Deklaratës Shqiptare gati 2 muaj, ndërsa Zoran Zaevi pasi pranoi pikat e asaj Platforme doli me programin e tij duke e shkelur marrëveshjen me Ahmetin e BDI-së e duke ua kthyer shpinën shqiptarëve. /Lajmpress

 

 

 

 

 

Comments

comments