Albin Kurti i quan ‘kriminel’ miqtë e Shpend Ahmetit, vëllezërit Devolli

Albin Kurti i quan ‘kriminel’ miqtë e Shpend Ahmetit, vëllezërit Devolli

Ish-kryetari dhe deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të vëllezërve Devolli, që janë miq të kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, duke thënë se janë pasuruar në kurriz të popullit të Kosovës dhe me ndihmën e “pronto politikës”.

Kurti ka thënë se pasuria e tyre është bërë për një kohë të shkurt dhe më shpejt se Bill Gets.

Ai ka kujtuar edhe bisedën mes Adem Grabovcit dhe Shkëlqim Devollit në aferën ‘pronto’.

Kurti ka përmendur shumë nga kompanitë  e terminale që janë në pronësi të tyre.

“Kosova shtet i kapur në shumë fusha është kapur edhe në ekonomi. Devollët janë biznesmen që përfaqësojnë kapitalin e pronto aferës. Edhe në Kosovë kemi emra biznesmenesh për një kohë të shkurtër i kanë shumëfishuar pronat e të ardhurat duke i tejkaluar edhe Bill Gates e Steve Jobs. Kështu ka ndodhur me Blerim e Shkëlqim Devollin. Çka zbuluan ata që u pasuruan kështu. Kosova jo vetem që ështe shtet i kapur është edhe ekonomi e kapur. Devollët kanë krijuar monopol në shumë fusha, ata kanë shkatërruar fushat tona”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

“Devollët kanë krijuar monopol në shumë fusha. Ata po i shkatërrojnë fushat tona bujqësore dhe bujqit tanë s’kanë më levërdi të mbjellin për shkak të importit të grurit për ushqimin e kafshëve prej rezervave shtetërore të Serbisë e të cilat Devollët po ia sjellin jo vetëm Kosovës por po ia çojnë edhe Shqipërisë”, tha ndër tjera deputeti i VV’së, Albin Kurti.

“Autostradën e kombit Devollët e kanë bërë autostradë të krundeve dhe rezervave serbe për konsumatorët shqiptarë. Për të qenë edhe më keq se kaq, gruri pa proteina dëmton rëndë shëndetin e fëmijëve dhe përbën kequshqyrje që shkakton prapambetje në rritje”, shtoi ai.

Kujtojmë se javë më parë Kryetari i Prishtinës nga Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, është fotografuar në një jaht milionësh në Mal të Zi që është në pronësi të Devollëve.

Ahmeti e ka pranuar publikisht që ka miqësi me Devollët, bashkë me nënkryetarin e Prishtinën Dardan Sejdiun/ Lajmi.net/