Aleatët e Serbisë me maskën e ndërmjetësit për Kosovën

0

Shaban Murati

Në kohën që laku diplomatik po ngushtohet rreth presidentit të Serbisë që të vendosë për kushtin europian të njohjes së Kosovës para se të pranohet në BE, Beogradi po u kërkon si gomë shpëtimi aleatëve të tij në Ballkan dhe jashtë tij që të dalin si ndërmjetës të dialogut Serbi-Kosovë. Kjo intrigë e vogël bizantine pati një shfaqje në datën 8 mars gjatë vizitës zyrtare të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në Bukuresht, ku ai i kërkoi presidentit të Rumanisë që të angazhohet si ndërmjetës në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës dhe të mbështesë një zgjidhje kompromisi për sa i përket çështjes së Kosovës. Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, pa u menduar dy herë si për propozimin, ashtu dhe për pozitën diplomatike të shtetit të tij me dy shtetet e dialogut, shprehu menjëherë gatishmërinë dhe madje ngutjen e tij që “Rumania të luajë një rol për të zgjidhur këtë çështje dhe të përfshihemi në gjetjen e disa zgjidhjeve të mira për gjithë rajonin”.

Gjëja e parë, që do të duhet të bëjë një kryetar shteti, kur i propozohet një rol ndërmjetësi në një konflikt apo dialog ndërkombëtar, është të mësojë nëse ka të tjerë përpara tij që janë angazhuar në atë rol dhe nëse ka vakum apo kërkesë ndërkombëtare për ndërmjetësim. Gjëja e dytë, që duhet të bëjë kryetari i shtetit kur i propozohet një rol ndërmjetësi, është nëse mundet ta luajë shteti i tij atë rol dhe nëse shteti i tij ka pozitën e barabartë të miqësisë dhe të ndikimit me të dy shtetet, që janë në konflikt apo dialog. Nuk mund të mos lerë një shije jo të këndshme fakti që presidenti i Rumanisë dhe diplomacia rumune pranojnë që në hedhjen e parë në tavolinë propozimin serb për të shërbyer si ndërmjetës në dialogun Serbi-Kosovë, kur ata e dinë se midis Serbisë dhe Kosovës po zhvillohen prej shtatë vitesh bisedime në Bruksel me ndërmjetësimin e BE dhe me tutorësinë direkte të komisionerit të BE për politikën e jashtme. Madje edhe marrëveshjet e nënshkruara deri tani midis Serbisë dhe Kosovës në bisedimet e Brukselit, mbajnë edhe firmat e komisionerit të politikës së jashtme të BE. Rumania, që është anëtare e BE, natyrisht e di dhe është e informuar se bisedimet po zhvillohen me ndërmjetësimin e BE. Është e paqartë se pse dhe si mendon diplomacia rumune se ajo mund të arrijë diçka më shumë se sa diplomacia e BE. Rumania nuk është fuqi e madhe europiane dhe as gadishullore dhe nuk ka e as nuk mund t’i afrohet ndonjë pike, ku mund ta konkurrojë Brukselin në planin diplomatik dhe politik rajonal. Duke u nxituar të marrë dhe të shpallë rolin e ndërmjetësit të dialogut Serbi-Kosovë, diplomacia dhe shteti rumun harrojnë thelbësoren që, edhe nëse do të kishim situatën kur BE nuk po ndërmjetësonte, Rumania është e komprometuar si ndërmjetëse. Ajo nuk plotëson as kushtet, as kapacitetet, as fuqinë, as kredibilitetin dhe as moralin diplomatik, që të luajë as për së afërmi dhe as për së largu rolin e ndërmjetësit. Ajo ka një njëanshmëri tepër komprometuese lidhur me objektin e ndërmjetësimit.

Rumania e ka vendosur veten në pozicionin e aleatit të ngushtë të Serbisë dhe të armikut të hapur të pavarësisë së Kosovës. Vetë presidenti rumun deklaroi në konferencën e përbashkët të shtypit me homologun serb se “Serbia është partneri ynë kryesor në Ballkanin Perëndimor”, madje kritikoi tërthorazi edhe BE-në, duke përsëritur pikëpamjen serbe, se “zgjidhja nuk mund të imponohet nga jashtë”. Rumania është krijuesja e aleancës trepalëshe të shteteve ortodokse Rumani-Serbi- Bullgari, që njihet edhe si blloku i Krajovës, siç është edhe protagoniste e aleancës katërpalëshe të shteteve ortodokse Rumani-Serbi-Bullgari-Greqi, që njihet edhe si blloku i Traktatit të Bukureshtit. Rumania është shteti, që ka mbajtur dhe mban një qëndrim armiqësor ndaj pavarësisë së Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën. Është rasti për të kujtuar se gjatë gjithë kohës së luftërave të përgjakshme, që ndezi Serbia në dekadën e fundit të shekullit të kaluar kundër popujve joserbë, Rumania furnizonte me armë dhe naftë makinën luftarake të Millosheviçit me një kontrabandë masive në lumin Danub, ku u shqua së tepërmi ish-kapiteni i anijeve dhe ish-president Trajan Basesku. Rumania ka mbajtur këtë qëndrim armiqësor në të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare për sa i përket Kosovës. Dhe është vërtetë një çudi ballkanike se si një shtet, që nuk e njeh Kosovën, mund të pretendojë të ofrohet si ndërmjetës në dialogun Serbi-Kosovë. Minimalja e çdo përshtatshmërie të rolit do të ishte njohja e Kosovës. Aq larg një roli të tillë është Rumania, sa që edhe vetë presidenti Iohannis në konferencën e shtypit në 8 mars e quan Kosovën “pala tjetër e interesuar”.

Në çdo logjikë dhe interpretim diplomatik del e qartë se as Serbia dhe as Rumania nuk e kanë hallin dhe nevojën se duan ndërmjetës për të zgjidhur problemin e përfundimit të bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës. Jemi përpara një nevoje diplomatike dhe strategjike të Serbisë për t’iu shmangur momentit të vendimit historik nëse do të hyjë në BE duke njohur Kosovën, apo të hyjë te Rusia duke mos njohur Kosovën. Presidenti i Serbisë po kërkon të vonojë sa më shumë momentin, kur duhet të vendosë nëse do ta njohë apo nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës si shtet. Presidenti i Serbisë po kërkon të zvarrisë pafundësisht procesin diplomatik të mbylljes përfundimtare të bisedimeve me Kosovën. Disa lloj manovrime diplomatiko-politike të tij, si e ashtuquajtura lëvizje për konsultë popullore për Kosovën, oferta dinake për dhënien e votës për pranimin e Kosovës në OKB por pa njohjen e saj si shtet nga Serbia, formulat e ashtuquajtura minimaliste që ruajnë statusin kolonial të Kosovës, thirrjet idiote për rihapjen e çështjes së statusit të Kosovës, apo lojërat meskine me ministrin e Jashtëm prorus Daçiç, i cili me patetizëm jep alarme false në 9 mars se “presidentin Vuçiç po e gënjejnë ndërkombëtarët”, janë taktika bizantine për t’iu shmangur kushtit të BE për njohjen e Kosovës,

Një rrugë shmangieje, që ka gjetur Serbia tani, është i ashtuquajturi ndërmjetësim i shteteve aleate të saj. Në 22 shkurt në Beograd u ofrua ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, që Rusia të lozë rolin e ndërmjetësit në dialogun Serbi-Kosovë. Duke ditur që Rusia është tepër e komprometuar në shkallë ndërkombëtare për aleancën strategjike me Serbinë dhe për ambicien për ndikim në Ballkan, presidenti serb iu drejta tani një shteti tjetër aleat të Serbisë, i cili është anëtar i BE dhe i NATO-s. Por edhe Rumania është po aq e komprometuar sa Rusia në qëndrimin ndaj Kosovës. Nëse vërtet Rumania, presidenti dhe qeveria e saj do të dëshironin të kontribuonin në rajon, do të duhej si hap i parë të njihnin Kosovën dhe ta ngrinin zërin në BE, që të bëjnë të njëjtën gjë edhe ato pak shtete, që nuk e kanë njohur deri tani.

Aleatët e Serbisë, që po veshin maska neutraliteti dhe pretendojnë rolin e ndërmjetësit në dialogun Serbi-Kosovë, duan ta komplikojnë situatën. Po e komplikojnë, se ata po i kundërvihen ndërmjetësimit të BE dhe kushtit të BE për njohjen e Kosovës. Të ashtuquajturit ndërmjetës, aleatë të Serbisë, me këto veprime nxisin Beogradin të largohet nga vlerësimi realist i situatave dhe i zhvillimeve dhe të vazhdojë rrugën e dështuar të etnocentrizmit serb si hegjemon në Ballkan. Është rasti dhe momenti që BE t’u bëjë të qartë ndërmjetësuesve vullnetarë në Ballkan dhe jashtë tij se është kontraproduktive që dikush do t’i zërë vendin BE-së në ndërmjetësimin e dialogut Serbi-Kosovë. Rumania, Rusia dhe aleatë të tjerë të Serbisë, në vend që të shpikin ngatërresa të reja ballkanike, duhet të njohin Kosovën dhe të bindin Serbinë dhe udhëheqjen e saj se rajoni ecën përpara drejt integrimit euroatlantik dhe jo mbrapa në kohërat e perandorisë komuniste sovjetike.