Arifi demanton Ali Ahmetin(Foto)

Arifi demanton Ali Ahmetin(Foto)

Nënkryetarja e BDI-së Teuta Arifi theksoi se nuk ekziston plan B sa i përket formimit të qeverisë por se Ivanov duhet t’ia dorëzojë mandatin Zoran Zaevit.

Arifi në një intervistë për Rrjetin Ballanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), gjithashtu theksoi se programi i LSDM-së nuk përmban asgjë problematike, përkundrazi se ajo është platformë evropiane dhe e orientuar në përmbushjen e reformave e që lë hapësirë për hapjen e debatit për çështje të ndjeshme në të ardhmen.

Në këtë mënyrë Arifi ka demantuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti i cili më 3 mars pat deklaruar se “po bëhet fjalë për planin B përderisa Gjorge Ivanov nuk ia dha mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaevit”. “Detajet për atë do të diskutohen sot në Kryesinë qendrore të partisë.  Nuk përjashtohet mundësia që të thirret Parlamenti, të zgjidhet kryetari i ri dhe Parlamenti të voton kabinetin e ri qeveritar”, patën raportuar mediumet më 3 mars, duke transmetuar deklaratën e kryetarit të BDI-së.

Ndryshe, nënkryetarja e BDI-së ka përsëritur edhe një herë qëndrimin se përmbajtja e platformës shqiptare nuk është anti-kushtetuese por ka të bëjë me çështjet e rëndësishme të shqiptarëve të cilat janë ngritur vazhdimisht në 25 vitet e fundit. Arifi mohon që BDI përmes platformës përpiqet të fitojë pikë politikë dhe të provokojë krizë pasi sipas saj nëse do të pretendonte një gjë të tillë atëherë do të kërkonte ndryshime kushtetuese.