Arrestohet shqiptari i dyshuar se masakroi shqiptarë bashkë me serbët

Agim Sahitaj është arrestuar nën dyshimin se në prill 1999 ka vepruar bashkë me forcat serbe, duke vrarë, plagosur, rrahur, maltretuar, plaçkitur e dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre në drejtim të Shqipërisë popullatën civile shqiptare.

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj këtij të dyshuari.

“Të dyshuarit Agim Sahitaj i caktohet paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit dhe do të zgjasë deri më datën 08.09.2017, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile”, tha gjyqtari Artan Sejrani.

Prokuroria Speciale pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në prill të vitit 1999 i dyshuari Agim Sahitaj, i uniformuar dhe i armatosur, ka vepruar së bashku me pjesëtarët e forcave serbe ku kanë vrarë, plagosur, rrahur, maltretuar, plaçkitur dhe dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre në drejtim të Shqipërisë popullatën civile shqiptare.

Prokurori i prokurorisë speciale Sylë Hoxha gjatë leximit të kërkesës mbi caktimin e masës së paraburgimit ka deklaruar se i dyshuari në bashkëkryerje ka kryer krime kundër civilëve shqiptarë.

“Gjatë vitit 1999 me datën dy prill Agim Sahitaj së bashku me pjesëtarët e forcave serbe kanë hyrë në një shtëpi në fshatin Sopi të Suharekës, ku aty edhe ka plagosur në këmbën e djathë S.E., ndërsa ka vrarë në vend A.K., pastaj i dyshuari ka shtënë në drejtim të A.E., por për fat nuk e ka qëlluar”, tha Sylë Hoxha.

Prokurori gjatë deklaratës së tij gjithashtu tregon se si po atë ditë i dyshuari Agim Sahitaj ka maltretuar, plaçkitur e dëbuar civilët shqiptarë nga fshati i tyre.

“Po ashtu në ditën kritike i njëjti në bashkëkryerje me personat e tjerë ka marrë pjesë në plaçkitje, rrahje, maltretime dhe se në të njëjtën ditë në fshatin Sopi janë vrarë 38 civilë shqiptarë pa uniforma. Po ashtu siç shihet nga shkresat e lëndës shihet se i dyshuari me bashkëkryerësit e tjerë i kanë dëbuar fshatarët e fshatit Sopi që të largohen në drejtim të Shqipërise”, shtoi Hoxha./kallxo.com

Comments

comments