Aziri hapi edicionin e 26-të të manifestimit tradicional “takimet poetike të Karadakut”

0

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës z.Valmir Azri mbrëmë hapi edicionin e 26-të të manifestimit tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”.
Ky manifestim tash më i kthyer në traditë për poetët dhe dashamirët e poezisë mbahet në kujtim dhe në nder të sakrificës të githë rinisë studentore shqiptare të ’81-shit që dhanë shumë mund, djersë e gjak, deri në brezin e 2001-shit, për një ditë më të mirë të të gjithëve.

Në orën letrare të mbajtur në Likovë, z.Aziri përgëzoi organizatorët dhe tregoi para të pranishmive që Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, duke marrë parasysh traditën e gjatë, punën dhe veprimtarinë serioze të këtij klubi, sivjet i ka përkrahur katër projekte me të cilët është konkuruar, në mesin e të cilëve edhe ky manifestim.

Fjalimi i plotë i z.Aziri
Të nderuar miq e dashamirë të artit e kulturës shqiptare
Shumë të respektuar poetë e shkrimtarë nga të gjitha trojet shqiptare, pjesëmarrës të edicionit të 26-të të manifestimit tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”.

Pa dyshim, është një ndjesi e veçantë për të gjithë ne që jemi pjesë e kësaj feste kulturore e letrare të Kumanovës e Likovës, në kujtim dhe nderim të djersës dhe sakrificës së rinisë studentore shqiptare të ’81-shit, dhe në nderim të të gjithë atyre brezave që dhanë shumë mund, djersë e gjak, deri në brezin e 2001-shit, për një ditë më të mirë të të gjithëve.

Arti dhe poezia gjithherë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë impakt të jashtëzakonshëm në zhvillimet e përgjithshme shoqërore. Fjala e bukur artistike shpeshherë ka depërtuar aty ku asnjë forcë tjetër nuk ka mundur të depërtojë. Nëpërmjet poezisë dhe këngës, shumëherë populli ynë ka marrë guxim e krenari për sfida dhe beteja të reja.

Andaj, edhe sonte presim që përmes poezisë së bukur shqipe, këtu bri pendës së Likovës dhe rrëzë maleve të Karadakut, të marrim mesazhe domethënëse për të tashmen dhe të ardhmen tonë!

Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, duke marrë parasysh traditën e gjatë, punën dhe veprimtarinë serioze të këtij klubi, sivjet i ka përkrahur katër projekte me të cilët është konkuruar, në mesin e të cilëve edhe ky manifestim. Shpresojmë dhe besojmë që në të ardhmen edhe më tepër të kontribuojmë bashkë për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare.

Krejt në fund, më lejoni që Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, t’i uroj shumë suksese në punën e saj, sa artistike, po aq edhe fisnike që po e bën, për ta gjallëruar jetën kulturore e artistike në këto anë. Kurse, poetëve u dëshiroj paraqitje sa më të suksesshme dhe qëndrim të këndshëm në Kumanovë e Likovë.