Barcelona hakmerret ndaj Juventusit, shkëlqen Leo Mesi

Barça mposht “Zonjën” italiane 3-0, ka fitore të thella edhe për PSG-në e Çelsin. Bajerni e Junajtid bëjnë detyrën, kurse Roma barazon me Atletikon

U luajtën dje ndeshjet e para në grupe të UEFA Champions League që dhuruan emocione të mëdha dhe siguruan spektakël në shumë stadiume europiane. Natyrisht, nga tetë ndeshje që u luajtën dje spikaste dueli Barcelona-Juventus në grupin D. Interesi për të parë Barçën rritej edhe për shkak të afrimit të Dembele në sulm që zëvendësonte Nejmar. Për minuta me radhe Barça vuan të gjejë hapësira, sepse Juventusi mbrohej me shumë forca. Në fund Leo Mesi arrin të kombinohet bukur me Suarez dhe pasi pozicionohet në pozicion paksa ballor, gjuan me të majtën topazi, duke mos i dhënë shans Bufonit dhe duke kaluar Barçën në epërsi.

Në pjesën e dytë Juventusi e nisi mirë, por nuk kishte fuqi të bënte ndryshimin dhe Mesi ishte i papërmbajtur. Ai nisin edhe aksionin që çoi tek goli i dytë që u shënua nga Rakitiç në minutën e 56-të, kurse vetë Mesi shënoi golin ne tretë dhe të nokautit për Juven në minutën e 69-të. Minutat në vazhdim ra ritmi i takimit dhe Juve nuk pati fuqi të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes. Barcelona hakmerret për disfatën e dy viteve më parë në ½ e finales së Champions. Një disfatë të rëndë pësoi mbrëmë Olimpiakosi grek që drejtohet nga Besnik Hasi. Tre gola që në pjesën e parë shënoi Sportingu i Lisbonës, duke vënë në vështirësi grekët brenda në stadiumin e tyre.

Olimpiakosi i Hasit u gjend i papërgatitur për këtë duel, duke i pësuar golat në kundërsulm. Në fund të ndeshjes Olimpiakosi shënoi dy gola me Pardo e ndeshja u mbyll 3-2 për portugezët. Në grupin A, Mançester Junajtid-Bazel nuk pati histori, pasi “Djajtë” anglezë e gjetën që në pjesën e parë golin e epërsisë në minutën e 35-të me anë të Fellainit. Në pjesën e dytë anglezët dyfishuan me Lukakun e më pas edhe me Rashford, duke fituar 3-0. Po në këtë grup, Benfika-CSKA Moskë ishte një ndeshje e dominuar lehtë nga portugezët, por rusët u mbrojtën mirë. Pjesa e parë u mbyll barazim 0-0. Në pjesën e dytë të dyja shënuan nga një gol të shpejtë, por rusët befasuan me një gol epërsi në mesin e pjesës së dytë, duke e fituar takimin 2-1. Në grupin B, Bajerni nuk kishte rrugë tjetër veç fitores, kjo dhe për faktin e Anderlehti mbeti me dhjetë vetë që në fillim të takimit. Levandovski shënoi me penallti, por pjesa e parë u mbyll 1-0. Në pjesën e dytë shënoi Alkantara dhe Kimiç, duke bërë që Bajerni të fitonte lehtë 3-0.

Ndeshja tjetër e këtij grupi nuk pati aspak histori, pasi Nejmar dhe Mbape shkëlqejnë së bashku dhe e shpartalluan Sëlltikun. Fillimisht shënoi Nejmar, më pas Mbape dhe brenda pjesës së parë realizoi edhe Kavani me penallti. Në pjesën e dytë u shënuan edhe dy gola të tjerë, një autogol dhe sërish Kavani, duke bërë që PSG të fitojë 5-0. Në grupin C luhej mbrëmë një prej ndeshjeve më të forta, ajo midis Romës dhe Atletikos së Madridit, por s’prodhoi gola e u mbyll 0-0. Kurse Çelsi as e diskutoi Karabagun e Ansi Agollit, ku Pedro dhe Zapakosta shënuan që në pjesën e parë, duke e futur “fitoren në “xhep”. Në pjesën e dytë anglezët shënuan edhe 4 gola të tjerë, duke regjistruar një fitore të thellë 6-0.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Comments

comments