Basha për dekretimin e Xhafajt: Nishani zbatoi Kushtetutën….por zgjedhje nuk ka!

Basha për dekretimin e Xhafajt: Nishani zbatoi Kushtetutën….por zgjedhje nuk ka!

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra nga Presidenti Bujar Nishani dhe dekretimin e Fatmir Xhafajt në postin e Ministrit të Brendshëm.

Nga çadra e protestës, Basha tha se Nishani, veproi “në lartësinë e tij kushtetuese”. Sipas Bashës, deklaratat e Nishanit se Xhafaj është i papërshtatshëm por se nuk ia lejon Kushtetuta ta refuzojë, është një thirrje direkte për kryeministrin Edi Rama dhe Kreun e Kuvendit Ilir Meta.

“Me një akt atdhetar dhe kushtetues, Presidenti i Republikës bëri paralajmërimin më të qartë për çdo shqiptar të përgjegjshëm, për të gjitha forcat politike, duke qëndruar në lartësinë e tij kushtetuese, por duke i bërë një thirrje të qartë Edi Ramës dhe Ilir Metës; të tërheqin sa nuk është vonë kandidaturën e hetuesit xhelat dhe të hapin dialogun politik me opozitën, dialog i cili ka dhe do të ketë vetëm një temë; qeverisjen teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.” tha Basha

Kreu i demokratëve iu përgjigj edhe Ramës, i cili tha se zgjedhjet e 18 Qershorit do të mbahen edhe pa opozitën. Por për Bashën, zgjedhje me Ramën Kryeministër dhe me Xhafajn Ministër i Brendshëm nuk do të ketë.

“Edi Rama me monologun e tij foli sot për zgjedhje pa opozitën. Le t’i themi nga ky shesh se zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë. Le t’i themi se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, apo me Fatmir Xhafën ministër të Brendshëm nuk ka dhe nuk do të ketë” tha ai.