Basha : Të hënën do të bllokojmë trafikun kombëtar!

Opozita shqiptare po përgatitet të intensifikojë protestën qytetare në të gjithë Shqipërinë, për të detyruar kryeministrin Rama të japi dorëheqje dhe në vend të krijohet një qeveri teknike që do të çojë vendin në zgjedhje. Kreu i PD Lulzim Basha ftoi të enjten në mbrëmje përkrahësit e tij që të hënën në orën 11 të bllokojnë trafikun kombëtar në të gjithë Shqipërinë. “Kjo është një orë e madhe solidariteti kombëtar, i shqiptarëve të bashkuar ndaj kastës së korruptuar të republikës së vjetër, se kurrë më nuk do të ketë tërheqje, kompromis dhe as pazar me interesat e republikës së vjetër, por vetëm qëndresë deri në hedhjen e themelit të republikës së re që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme” tha zoti Basha para përkrahësve që brohorisnin emrin e tij. Sipas zotit Basha ky do të jetë fillimi i një aksioni që do të kulmojë më 7 maj në zgjedhjet në Kavajë. “Ne nuk do t’ja dorëzojmë më Kavajën krimit dhe drogës” tha ai.

Në harkun kohor të dy muajve kjo është thirrja e dytë për veprime radikale që bën lideri i opozitës. Pak ditë pas fillimit të protestave në bulevard, zoti Basha tha : “Doni luftë, luftë do të ketë. Qytetarët do të fitojnë. Shpojuani gomat e makinës, thejuani dritaret, nxirrini nga zyrat atyre që ju shkelin të drejtat tuaja. Ngrihuni, protestoni, reagoni”. Policia e paditi zotin Basha për thirrje të dhunshme dhe prokuroria nisi hetimin penal.

 

Comments

comments