BDI: Një njësi zgjedhore, e pafavorshme për shqiptarë

Një analizë e hollësishme e bërë nga Bashkimi Demokratik për Integrim nga rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve paraprake, tregon qartë se sistemi zgjedhor proporcional, ku e gjithë Maqedonia do të ishte një njësi zgjedhore, nuk është fare e favorshme për faktorin politik shqiptar, dhe rrjedhimisht as për partitë e vogla politike të cilat po insistojnë në një gjë të tillë kohën e fundit. Analiza tregon se një sistem i tillë zgjedhor, do të shkonte në llogari të partive politike maqedonase, të cilat si zakonisht kanë më shumë votues.

BDI ka analizuar rezultatet zgjedhore të disa zgjedhjeve të fundit, dhe në bazë të votave të fituara të partive shqiptare, del se nëse ato zgjedhje do të ishin zhvilluar me një njësi zgjedhore, atëherë në vitin 2006 dhe 2008 shqiptarët do të humbnin nga 3 deputetë, dhe në zgjedhjet e fundit të vitit 2014 do ta humbnin 1 deputet. E nëse këtu do të vendosej edhe pragu prej 5 përqind, që është i zakonshëm në raste të tilla, atëherë deputetët e fituar do t’i takonin vetëm partive më të mëdha politike, te shqiptarët BDI dhe PDSH, kurse për rrjedhojë, 2-3 mandatet e partive më të vogla shqiptare, do të kalonin te partitë maqedonase.

Në këtë analizë theksohet se në aspektin politik dhe në atë të implementimit të politikave në interes etnik, shumë me rëndësi është që partia shqiptare që i fiton zgjedhjet të ketë shumicën e deputetëve nga numri i përgjithshëm i deputetëve të përkatësisë etnike jomaqedonase, sepse me këtë e siguron edhe shumicën për votimin e dyfishtë. Se sa kjo është e rëndësishme të rikujtojmë rastin e vitit 2006, kur një deputete maqedonase, për arsye politike e ndryshoi përkatësinë e saj etnike dhe u bë vllehe. Prandaj, në variantin që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore, do të humbë relevanca e partisë shqiptare në qeveri.

Me një njësi zgjedhore, poashtu rreziku është më i lartë nga shkaku se një numër i madh i votuesve shqiptarë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, dhe shumë pak prej tyre vijnë për të votuar në vendlindje. Kurse, tek partitë politike maqedonase dalshmëria e votuesve në zgjjedhje është më e madhe, për shkak se shumica e tyre jetojnë në vendlindje dhe se mobilizimi i tyre i përgjithshëm për të votuar është shumë më i madh se sa te shqiptarët, thuhet në analizën e BDI-së.

Nga kjo parti theksojnë se sistemi aktual zgjedhor me 6 apo edhe me 3 njësi zgjedhore, dhe me lista të hapura, është shumë më i favorshëm për faktorin politik shqiptar në Maqedoni.

Comments

comments