Biblioteka në Arbënesh të Zarës merr emrin e ilirologut Aleksandër Stipçeviqit

Biblioteka në Arbënesh të Zarës merr emrin e ilirologut Aleksandër Stipçeviqit

Mehmet Latifi

Banorët e Arbëneshit të Zarës, do ta nderojnë edhe një nga personalitetet e këtij vendbanimi, Akademikun e ndjerë, prof. dr. Aleksandër “Shandri” Stipçeviqin, duke i vënë emrin e tij Bibliotekës së Arbëneshit, që është degë e Bibliotekës së qytetit të Zarës, njofton agjencia e lajmeve INA.

Me inisiativën e Bashkësisë Lokale të Arbëneshit, me mbështetjen e qytetit të Zarës, Biblioteka e qytetit në Zarë, ka ngritë procedurën për riemërtimin e degës së Bibliotekës në Arbënesh me emrin e kolosit të shkencës, arkeologut, ilirologut dhe ballkanologut, Aleksandër Stipçeviqit.

Përurimi i riemërtimit të Bibliotekës me emrin “Aleksandër Stipçevit”-Arbënesh, do të bëhet më datën 12 maj, të këtij viti, në ora 11.00, në objektin dhe ambientet e kësaj Biblioteke, në Arbënesh të Zarës.

Akademik, prof. dr. Aleksandër “Shandri” Stipçeviqi është lindur në Arbënesh të Zarës, më 10 tetor 1930. Është pjesëtar i fiseve dhe familjeve shqiptare të shpërngulura nga Malësia e Mbishkodrës, në fillim të shekullit të 18-të, saktësisht të vitit 1726.

Është një nga ilirologët më të njohur në botë, për sa i përket kësaj fushe, të cilës i është qasur me një përkushtim të veçantë. Gjatë shumë intervistave, ai vazhdimisht është shprehur:

“Me ilirët kam filluar të merrem heret, e sidomos kur isha student i arkeologjisë, sepse gjithë literaturën që ishte në gjuhën shqipe unë e shfrytëzoja, për shkak të shohjes së gjuhës shqipe. Kjo në rend të parë ka të bëjë sepse të parët e mi kanë ardhur nga rrethi i Shkodrës, para gati 280 vjetësh dhe nuk e di pse aq shumë më ishte ngulitur interesimi për të ditur prejardhjen time. Duke studiuar në atë vijë, ja, disi kam arritur, të shprehem kështu, gjer tek mbretëresha Teuta. Shpesh, në shaka, them se unë jam pasardhës i drejtpërdrejtë i mbretëreshës Teuta. Pavarësisht prej kësaj shakaje, mua ilirët vazhdimisht më kanë preokupuar, në radhë të parë për shkak se kam menduar dhe mendoj se nuk mund të studiohet e kaluara e Ballkanit, madje as e tanishmja, pa njohjen e elementit ilir. Gjithçka që ka ndodhur në Ballkan, prej kohës së mesme e këndej, në njëfarë mënyre është ndërtuar mbi atë shtresë që ne e quajmë –ilire. Pra, çdo tregim për Ballkanin fillon me ilirët dhe autoktoninë e tyre”.

Aleksandër Shandri Stipçeviq vdiq në Zagreb, më 31.08.2015. (INA)