“Brenda PAN-it konflikte të mëdha, po tentohet të arrihet diçka në sekondat e fundit”

Që nga shpallja e rezultateve finale të zgjedhjeve të  11 qershorit, koalicioni fitues PAN nuk ka arritur t’i sigurojë numrat e nevojshëm për të formuar institucionet e reja. Pas tri seancave të dështuara dhe deklaratave të shumta nga ky koalicion që i kanë numrat, më në fund nga Partia Demokratike e Kosovës janë “dorëzuar” dhe e kanë pranuar që nuk i kanë numrat e nevojshëm.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, gjatë ditës së premte ka thënë se koalicioni PAN nuk i ka numrat dhe kjo është arsyeja  që ata nuk po marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

“Ne sikur t’i kishim votat të gjitha, ne do të futeshim në seancë të zgjidhnim kryetarin e Kuvendit dhe do ta caktonim seancën për ta zgjedhur kryeministrin, respektivisht Qeverinë. Ne kemi pasur një marrëveshje në bazë të informatave që kam dhe ka lëviz puna, dikush është tërhequr nga marrëveshja dhe tani po punohet të kemi një marrëveshje të re dhe t’i qëndrojmë asaj marrëveshje.. Nuk kam informacion kush me kënd bisedon sepse unë s’jam i ngarkuar dhe s’jam pjesë e grupit që zhvillon bisedime për koalicione”, ka thënë Haliti.

Shahu: PAN nuk ka frymë qeverisëse

Lidhur me numrat e koalicionit PAN, analisti politik Rexhep Shahu ka thënë se po PAN po tenton të arrijë çka të mundet edhe në sekondat e fundit.

Image

Rexhep Shahu

“Po luhet herë me bllofin, herë me kërcënime, por nuk arrihet koalicioni vetëm me numra, duhet fryma së pari”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka thënë se koalicioni PAN nuk ka besim të brendshëm për bashkëqeverisje.

“PAN nuk ka frymë për koalicion, nuk ka dashamirësi e besim të brendshëm për bashkëqeverisje, pavarësisht deklaratave e betimeve për besim e ndershmëri”, ka deklaruar Shahu për gazetën “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka theksuar se konfliktet e brendshme të PAN janë të mëdha, pasi që sipas tij, “nuk ka mjaftueshëm, mjaltë pushteti për t’i ëmbëlsuar të gjithë palët”.

“Konfliktet e brendshme të pa shpallura brenda PAN janë më të mëdha se sa mund të imagjinohen. Dhe nuk ka mjaftueshëm, mjaltë pushteti për t’i ëmbëlsuar të gjithë palët”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

Comments

comments