Bujar Osmani nga Brukseli jep lajme të mira për Maqedoninë

0

Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani për vizitë pune qëndron në Bruksel ku së bashku me Bojan Mariçiq, këshilltar për integrime evropiane në kabinetin e Kryeministrit, patën takime me Drejtorin e Përgjithshëm për Evropë dhe Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerim DGNEAR, Kristijan Danielson, si dhe, mbajtën brifing me përfaqësues të Drejtorisë për progresin e Maqedonisë, në prag të Raportit të ardhshëm të Komisionit Evropian për gjendjen dhe progresin e Republikës së Maqedonisë.

Në takime, përfaqësuesit e Drejtorisë njoftuan Osmanin dhe Mariçiqin me përmbajtjen e një versioni pune të Raportit të ardhshëm të Komisionit Evropian për gjendjen dhe progresin e Republikës së Maqedonisë, ku edhe u shkëmbyen argumente rreth gjendjes dhe progresit të vendit. Osmani brifoi për gjendjen e implementimit të Planit 3-6-9, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet Qeveria gjatë realizimit të detyrimeve dhe shmangien e pengesave politike për progresin e proceseve euro- integruese.

“Valorizimi i përpjekjeve reformuese të Republikës së Maqedonisë presim të jetë i vlerësuar në Raportin e ardhshëm të Komisionit, prej nga presim edhe rekomandim të pastër dhe të pakushtëzuar deri tek Këshilli i BE-së për fillim të negociatave” theksoi Osmani në takime, duke shtuar se në periudhën e ardhshëm, në prag të raportit të prillit të Komisionit Evropian, e gjithë vëmendja e Qeverisë është e përqendruar në implementimit e reformave të nevojshme dhe shmangien e barrierave politike në rrugën tonë euro-integruese.

Osmani theksoi se pret që Raporti i Komisionit Evropian të sigurojë vlerësim të qartë dhe saktë të gatishmërisë në përgjithësi dhe progres jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të gjitha vendeve të rajonit duke e pasur parasysh se integrimet evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor paraqesin sfidë evropiane, që është në interes të një Evrope më të qëndrueshme më të sigurt dhe të bashkuar.

Gjatë kohës së vizitës në Bruksel Osmani do të mbajë brifing në prag të publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë edhe para anëtarëve të grupit Punues për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian.