Bum turistësh! Kroacia përballet me mungesë punëtorësh

Pavarësisht një sezoni të suksesshëm, sektori i turizmit në Kroaci ka një mungesë prej të paktën 2,700 punëtorësh, shprehen sindikatat, duke fajësuar hendekun e krijuar nga pagesa e ulët dhe kushtet e këqija të punës.

Eduard Andriç, kryetari i sindikatës së turizmit kroat dhe shërbimeve, tha për BIRN se “kushtet e këqija të punës janë arsyeja kryesore për mungesën e punëtorëve në turizëm”.

“Arsyeja që kam theksuar për vite me radhë janë rrogat relativisht të ulëta, që bien nën rrogën mesatare, nga 17 deri në 20 për qind,” tha ai.

“Gjithashtu, pavarësisht rritjes rekord gjatë viteve të fundit dhe të gjitha investimeve të bëra, në vend që të zgjerohet numri i punëtorëve me kohë të plotë, turizmi kroat ka ulur vazhdimisht shifrat, ndërsa numri i punëtorëve sezonalë është në rritje,” vazhdoi ai.

Andriç tha se kushtet e këqija të punës i penguan njerëzit të zgjedhin të vazhdojnë karrierën e tyre në turizëm, sepse ata “nuk duan të zgjedhin një profesion ku punojnë vetëm gjashtë muaj në vit”.

Ai tha se kushtet në turizëm mbetën të vështira, pavarësisht disa përmirësimeve të bëra në strehimin e punonjësve të turizmit në bregdet.

Sipas tij, shumë njerëz që përfunduan studimet për turizëm në shkollë të mesme nuk i vazhdojnë studimet në këtë profesion dhe kërkonin punë në sektorë të tjerë.

Një numër i madh kroatësh punojnë me sezone në turizëm, sidomos në bregdetin e Adriatikut gjatë pranverës dhe verës.

Ndërkohë që raportet në qershor treguan për një mungesë prej 2,700 punonjësish sezonalë, Andriç tha se shifra reale ishte ndoshta shumë më e madhe, pasi shumë punëdhënës “nuk e raportojnë problemin”.

 

Comments

comments