Burg 20 vjet kush kapet duke ndez zjarr

Ndonëse situata nga zjarret në pyje është alarmante dhe autoritetet kanë dalë në konkluzionin se shumica e tyre janë të qëllimshme, numri i personave të vënë në pranga si përgjegjës, lë për të dëshiruar.

Referuar statistikave zyrtare të Policisë së Shtetit, në mbarë vendin gjatë muajit korrik, por edhe në ditët e para të gushtit, në total janë arrestuar për zjarrvënie 17 persona, ndërkohë që 6 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Sipas specialistëve, shumë zjarre në pyje shkaktohen edhe nga pakujdesia dhe zbulimi i personave përgjegjës kërkon hetime speciale. Në çdo rast të zjarreve masive policia, ka kryer veprime hetimore dhe materialet janë dërguar në prokurori por statistikat mbeten të varfra në raport me dëmin e shkaktuar.

Të premten, policia arrestoi Veiz Ukun, si përgjegjës për djegien e një masivi pyjor në fshatin Shën Koll, ku për pasojë u dëmtua 2 dynym sipërfaqe pyll. Ndërkohë, drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Prençi në një intervistë për Top Channel kërkoi që në hetime për zjarrvëniet e qëllimshme të përfshihet edhe shërbimi informativ shtetëror.

Kodi penal është shumë i ashpër ndaj zjarrvënësve. Sipas nenit 206, “Shkatërrim me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet ndërsa kur kjo vepër, ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet. Ndërkohë për “Shkatërrimin nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” parashikohet dënim me burgim nga tre deri në tetë vjet./

Comments

comments