Cila do jetë e ardhmja e koalicionit qeverisës? Ja çfarë kërkojnë deputetët...

Cila do jetë e ardhmja e koalicionit qeverisës? Ja çfarë kërkojnë deputetët e PS dhe LSI

Teksa ka mbetur edhe një muaj që nga afati i regjistrimeve të koalicioneve partiake që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, eksponentë të partive të mëdha në mazhorancës respektivisht, PS dhe LSI kanë qëndrime të ndryshme për të ardhmen e këtyre partive në politikë.

Të majtët kërkojnë një qeveri pa LSI, sikundër deputetët të LSI pretendojnë dhe flasin me bindje se kjo forcë  politike mund të marrë e vetme edhe drejtimin e qeverisë. Kështu në një takim me banorët e Oshtimës në Vlorë, deputeti i LSI-së, Flamur Çela u ka kërkuar banorëve mos qëndrojnë pasiv, por të reagojnë përmes votës për subjektin që punon për ta duke shprehur këtu edhe ambicien e kësaj partie për të marrë qeverinë.

“Nëse duam që ti vëmë gjërat përpara në këtë fshat duhet që më përpara të marrim pushtetin, ta konsolidojmë atë. Forca politike ku unë bëj pjesë është ajo forcë që ka gjasa të marrë ekzekutivin, të marrë Kryeministrin. Dhe të marrësh Kryeministrin do të thotë të jesh më afër të gjithë atyre mundësive që të ofron pushteti”, është shprehur ai. Ndërkohë që në kampin e PS-së, nga një takim me të rinjtë socialistë të Pukës dhe Fushë-Arrëzit, deputeti Pjerin Ndreu i njohur për qëndrimet e prera, nuk nguroi të shprehte dëshirën për krijimin e një qeverie vetëm “socialistë”, duke nënkuptuar kështu një shkëputje nga LSI-ja.

“Të jemi bashkë në një fitore të madhe të Partisë Socialiste të Shqipërisë me 18 qershor, me Edi Ramën kryeministër, me qeveri të plotë të Partisë Socialiste dhe me një shumicë dërrmuese në grupin parlamentar me më shumë se 71 deputetë. Ky është një zotim që ne e kemi marrë në Pukë, në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë”, mësohet të ketë thënë Ndreu. /