Curri: Nuk dua që ky ekip të shpallet kampion në Serie A

0

Ish futbollisti i Kombëtares Shqiptare, aktualisht pjesë e skuadrës së Prishtinës në Vala Superliga në Kosovë, Debatik Curri ishte i ftuar në një lidhje direkte, në emisionin ‘Zona Gol’, në Supersport. Nga eksperienca në Superiore, te ecuria te Prishtina, planet për të ardhmen dhe gjithçka që lidhet me Currin futbollist, mbrojtësi nuk ngurroi t’u përgjigjej, shpesh edhe me shumë nota humori.

Jeni në garë për titullin kampion, por edhe për Digitalb Kupën në Kosovë?
Curri: Jemi në garë gjithandej dhe shpresoj që të transferohemi në Serinë A, pasi atje nuk po gjen rivalë Juventusi. Duhet me I dal ne përpara.

Bulku e ka lënë futbollin. Po ju keni menduar të lini futbollin?
Curri: Në fakt e kam menduar, por nuk kam kujt t’ia lë në dorë ekipin, kështu që po vazhdoj (Qesh)

Si ju duk ndeshja Inter-Napoli? Kush është mbrojtësi më i mirë, Koulibaly apo Skriniar?
Curri: Unë e pashë ndeshjen dhe vura re se Napoli kishte shumë presion për të marrë fitoren dhe kjo e pengoi të shprehet. Jam tifoz me Interin, por doja të fitonte Napoli sot, për të marrë titullin, pasi Juventusi nuk po gjen rivalë. Mendoj se Interi do t’ia dalë të renditet në 4-shen e parë, pasi i ka të gjitha mundësitë dhe është forcuar edhe në janar.

A do ta telefononi Berishën, të ndalë Juventusin të mërkurën?
Curri: Shpresoj të akordohet penallti për Juventusin, pasi jam i sigurt që Berisha do të arrijë ta presë. Uroj vërtetë që të ndërrohet kampioni në Itali, pasi atje, ashtu sin ë Kosovë e Shqipëri, po fiton gjithmonë e njëjta skuadër.

A ju mungon Superliga shqiptare?
Curri: Kam vetëm një peng, që nuk fitova titullin me Tiranën, pasi për të tjerat, besoj se kam shijuar atë eksperiencë. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, pavarësisht se nuk arritëm të triumfojmë në asnjë derbi. Sfida ndaj Partizanit përjetohej shumë te Tirana dhe pikërisht emocionet nuk na linin të shpreheshim mirë.

Sa herë e keni parë filmin ‘DEBATIK’?
Curri: Në fakt e kam parë shumë herë, por asnjëherë deri në fund. Gjithsesi, rëndësi ka që e di domethënien e emrit tim dhe mënyrën se si vendosën të më vënë këtë emër. /Lajmi.net/