Debat i ashpër për vrasjen e Jusuf Gërvallës, kush e përzuri nga...

Debat i ashpër për vrasjen e Jusuf Gërvallës, kush e përzuri nga shtëpia Ibrahim Kelmendin pas vrasjes së Jusufit

Njëri ndër anëtarët e LPK-së, Ibrahim Kelmendi, përmes një postimi në facebook ka reaguar ndaj deklaratave të Sabri Novoselles, sipas të cilit Ibrahim Kelemndi ishte përzënë nga shtëpia e Jusuf Gërvallës.

“Është fakt se Ibrahim Kelmendi ka qenë i përzënë nga shtëpia e Jusufit dhe vetëm me Kadri Zekën arriti që të hynte sërish në shtëpinë e Jusuf Gërvallës, ndërsa ditën që është vrarë Jusuf Gërvalla, ai vetëm dy orë para se të vritej, ishte larguar nga shtëpia e tij”, kishtë deklaruar Novosella.

Por Kelmendi këtë deklaratë e quan një shpifje dhe Sabri Novosellën e quan një shpifës ordiner.

“Sabri Novosella po vazhdon me qenë shpifës ordiner. Ky Zotëri edhe kësaj radhe paska shpif. Nuk është e vërtet që Jusuf Gërvalla më ka përzënë ndonjëherë nga shtëpia dhe asnjëherë nuk jam përzënë nga ajo Familje fisnike. Pas vrasjeve ca bastardë, që u imponuan si zotë shpije në Familjen Gërvalla, me urdhër të Sabri Novosellës janë munduar të më përzënë, por nuk kanë mundur”, ka shkruar Kelmendi në faqen e tij në facebook.

Sipas tij, më 16 dhe 17 janar 1982, ai ishte takuar me vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën.

“Me 16 e 17 janar 1982 jemi takuar dhe ishim bashkë Vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka dhe unë, me kërkesë të Jusuf Gërvallës. Me kërkesë të Jusufit dhe Kadriut jam larguar rreth orës 15:30 të ditës se diell, me 17 janar, nga Familja Gërvalla, sepse duhej të dërgonim videokasetën që ma ka dhënë Jusufi, për ta shfaq në Klubin Shqiptar në Dyseldorf, siç e kishim paralajmëruar përpara se do të shfaqej në mbrëmjen e 17 janarit 1982”, shkruan Kelmendi, përcjellë “Bota sot”.

Kelmendi ka prezantuar edhe një letër, që sipas tij Jusuf Gërvalla ia kishte shkruar dy ditë para vrasjes, letër kjo që sipas Kelmendit dëshmon raportet që kishte me Gërvallën.

“Ja letra që Jusufi ma ka shkruar me 15 janar 1982 (dy ditë para vrasjes), që dëshomn si cilat raporte kishte Ai me mua: “I dashur shok Ibrahim,  Me bisedën që patëm në dasmë, unë në njëfarë mënyre u tregova i padrejt ndaj teje. Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. (…)””, ka shkruar Ibrahim Kelemndi.

“Sabri Novosella duhet të pajtohet me realitetin (për te hidhur), se nuk ka mundur ta pëngonte më Jusufin (si në tetor 1981) që të ndodhte bashkimi, as nuk ka mundur ta komplotonte e kapte organizimin tonë patriotik në emigracion, pas vrasjeve që bëri UDB-ja me 17 janar 1982, prandaj kjo mënyrë e shpifjeve kaq ordinere është një lloj hakmarrjeje, por me fishekë që prodhojnë vetëm tymnajë… Do të ishte produktive që Sabri Novosella të ma hiqte bllokimin dhe të angazhohej këtu për debat”, përfundon postimin e tij, ish anëtari i LPK-së, Ibrahim Kelmendi.