Debati i mbrëmshëm | Pse Arban Abrashi kolapsoi para Shpend Ahmetit

Mbrëmë u zhvillua debati i parë mes dy kandidatëve për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit. Sipas moderatorit, ky debat arriti rekord të shikueshmërisë në televizionet kosovare.

E gjithë kjo shikueshmëri është mjaft shqetësuese. Prishtina është një qytet i vogël, me problemet e të cilit mund të njihet secili qytetar përmes një angazhimi njëditor. Ai mund të mësojë se çka është bërë, e çka mund të bëhet. Nuk do të ishte e nevojshme që këto gjëra t’i dëgjonte dhjetëra herë nga vetë kandidadatët. Kjo shikueshmëri e dëfton në rend të parë, nevojën e madhe qytetare që gjërat t’i shpjegohen e t’i interpretohen. Dhe debatet parazgjedhore këtë e bëjnë: ofrojnë dy interpretime të ndryshme për qytetarët e papërcaktuar që nuk duan të lodhin mendjen e tyre.

Dhe në këtë pikë, është mëse e qartë se ata u zhgënjyen nga kandidati i LDK-së Arban Abrashi. Fjalët e tij ishin të paqarta. Numrat nuk rridhnin nga një aritmetikë e mprehtë dhe e provueshme, por nga dëshira – që linin të kuptohej se Abrashi nuk ishte i përgatitur. Dhe kjo mospërgatitje, ndoshta ishte rrjedhojë e pritjeve të vogla që ai kishte për të dalë në balotazh ose pritjeve që ka për të fituar ndaj Shpendit. Më tej, qëndrimi i tij më i tendosur, të kujtonte Isa Mustafën, që jo thjesht ofronte ndjesinë se ishte i paqasshëm për qytetarët, por i paqasshëm e i huaj edhe për problemet me të cilat përballen qytetarët e Prishtinës. Në anën tjetër, qëndrimi i Shpendit ishte shumë më fleksibil. Fjalët e tij thuheshin më natyrshëm dhe prandaj më rrjedhshëm, duke ofruar përshtypjen se ai ishte më familjar me problemet me të cilat përballet Prishtina – e kësisoj, edhe më i aftë për t’i zgjidhur dhe edhe më i qasshëm për vetë qytetarët.

Kritika e Abrashit ndaj qeverisjes aktuale ishte e çorganizuar dhe e dobët. Ashtu siç ishte edhe mbrojtja që i bënte qeverisjes komunale të Isa Mustafës. Ai nuk mundi të shpaloste asnjë defekt serioz e sistematik të qeverisjes në Prishtinë – duke i lënë përgjysmë sulmet e tij. Ai e akuzonte Ahmetin se vazhdimisht po arsyetohej për moskryerjen e punëve. Por edhe kjo i mbeti përgjysmë, sepse ai nuk u mor me përgënjeshtrimin e këtyre arsyetimeve. E për vetë arsyetimin, një mendje e shëndoshë nuk beson që është në vetvete një gabim. Qytetarët e dinë se shumçka që thotë Shpendi është e vërtetë, sepse kishte një mbulim të madh medial për këto çështje. Për shembull, Hoti dhe vonesa e nënshkrimit për autobusët. Kryeministri Mustafa dhe mosprocedimi i ligjit për Prishtinën. Etj.

Çka do të bënte në këtë drejtim Arban Abrashi për të bindur një qeveri [Qeverinë e tanishme Haradinaj] që nuk e ka partner koalicioni partinë e tij? Përgjigjja mungon.

Ndërkohë, Shpendi ishte mjaft sistematik në gjithë atë që thoshte. Mjaft i përgatitur përgjatë gjithë debatit. Qytetarët, ta zëmë, mund të mos besojnë në një qasje të tillë. Mund të mendojnë se Prishtina do të zhvillohej më hovshëm ekonomikisht pa një qasje shtrënguese burokratike. Dhe me një vullnet të fortë për investime të mëdha në projekte të mëdha. Gjëra për të cilat Ahmeti nuk ka shprehur besim. Por, me gjithë këto bindje të ndryshme ideologjike, edhe këta qytetarë do të ndihen mjaft të zhgënjyer nga mungesa e argumentimit për 1,2 miliardët e premtuar nga Abrashi se do të investoheshin për katër vitet e ardhshme.

Padyshim, qytetarëve nuk iu duhet një debatues i mirë, por një kryetar i mirë. E megjithatë, debati zbulon shumëçka nga mënyra sesi do të punojnë kandidatët. Mosdënimi i asnjë lloj politike që ndërmorri Isa Mustafa në Prishtinë në qeverisjen e tij gjashtë vjeçare, kur atë e kishte dënuar vota qytetare më 2013, e paraqet Abrashin mjaft keq. Jo si një politikan të ri, me qasje të re, dhe me mundësi të reja. Por si një politikan që përfaqëson të renë vetëm në dukje, por pikërisht mendësinë e vjetër dhe njerëzit e dikurshëm që e udhëhiqnin Prishtinën.

Reagimi i përgjithshëm i njerëzve në rrjete sociale ishte se Shpend Ahmeti e mundi Arban Abrashin. Një gjë e tillë është mjaft zor e definueshme. Por, këtu ndoshta ka një keqkuptim. Kjo sepse, Arbani në fakt kishte një detyrë tepër të zorshme, meqë i duhej të mbronte një qeverisje komunale si ajo e Mustafës e cila nuk meriton mbrojtje. Dhe meqë plani i tij qeverisës varet nga po të njëjtit njerëz. E ndërkohë që Shpendi, kishte se çka të mbronte dhe nuk e kishte të zorshme.

Comments

comments