“Deklaratat e liderëve serbë për Qeverinë “Haradinaj”, s`çojnë peshë për Kosovën”

Deklaratat që vijnë nga zyrtarët e lartë të Serbisë lidhur me formimin e Qeverisë `Haradinaj`, nuk mund të ndikojnë në institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Fatmir Sheholli ka thënë se deklarata e Goran Rakiqit se “Qeveria e Kosovës varet nga Lista Serbe”, është thjeshtë për konsum të brendshëm.

“Sa i përket zotit Rakiq kam respekt ndaj tij sepse ai është kryetar i partisë politike Lista Serbe e cila ka dalë në zgjedhje në Kosovë dhe ai është subjekt me të cilin duhet bashkëpunim në territorin e Kosovës. Për deklaratat e tjera që vinë nga zyrtarët e Serbisë, ata nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje në Kosovë dhe deklaratat e tyre sa i përket zyrtarëve të lartë të Serbisë, ato çështje duhet të diskutohen në Bruksel sepse nuk kanë peshë në institucionet dhe popullin e Kosovës. Janë deklarata për një konsum të brendshëm të tyre, por ato duhet Brukseli të merret me to”, ka thënë ai për Indeksonline.

Sheholli ka komentuar formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke thënë se ky është obligim ndërkombëtar, e që duhet të zbatohet nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, zbatimi për këtë marrëveshje nuk do të nxisë asnjë lloj proteste meqë kryeministri Haradinaj ka deklaruar se do të ketë një dialog të brendshëm rreth të gjitha marrëveshjeve të arritura me Serbinë në Bruksel.

“Sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe është obligim ndërkombëtar që institucionet e Kosovës duhet ta zbatojnë atë obligim ndërkombëtarë.Nuk besoj se do nxisë asgjë për arsye se kryeministri Ramush Haradinaj e ritheksoi edhe dje se do të ketë një dialog të brendshëm lidhur me dialogun dhe me gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur. Andaj, kur të fokusohet e gjithë shoqëria në një çështje, aty do të ketë sigurisht rezultate”, ka deklaruar ai.

Sheholli ka shtuar se Qeveria e Kosovës varet vetëm nga qytetarët e saj dhe nga askush tjetër. /Sovrani/

Comments

comments