Deputetja e VMRO-së thotë se Marrëveshja e Ohrit ka përfunduar, të stopohet ligji për shqipen

Debati për propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve nuk ka fund. Në ditën e dytë të debatit në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie ndëmjet bashkësive etnike, deputetja e VMRO DPMNE-së, Nevenka Stamenkovska nënvizoi një sërë mangësish juridike, që sipas saj argumentojnë pse propozim ligji pa të drejtë mban yllin e Bashkimit Evropian. Sipas Stamenkovsëks, gjuha shqipe edhe ashtu është e aplikueshme e Marrëveshja e Ohrit tashmë është realizuar, andaj nuk ka aspak nevojë për ta diskutuar propozim ligjin në fjalë.

Me ndryshimet kushtetuese në vitin 2001, Ligji për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve në RM-së dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale është miratuar më 4 gusht të vitit 2008 dhe me këtë gjuha shqipe është bërë gjuhë e dytë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, kuptohet në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku ka mbi 20%. Sipas meje, tema për përdorimin e gjuhës shqipe tashmë është vendosur në korniza kushtetuese dhe me këtë sipas meje dhe tezave të shumë personave profesionistë duhet të mbyllet edhe tema e Marrëveshjes së Ohrit – deklaroi Nevenka Stamenkovska, VMRO DPMNE.

Mirëpo deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili duke iu referuar raporteve të BE-së theksoi se MO-ja akoma nuk është realizuar tërësisht, pikërisht për shkak të mos-rrumbullakësimit të çështjes së shqipes. Andaj ai i apeloi VMRO-së të mos keqpërdor këtë temë për poena politike, para zgjedhjeve lokale.

Kam qenë deputet që nga përbërja e vitit 2011 dhe kemi pasur mundësi ta shqyrtojmë raportin e vitit 2010, 2011, 2012, 2013, 2014 dhe në të gjitha këto raporte njëra prej vërejtjeve kryesore që i kemi pasur ka qenë ngecje në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Dhe çështja e rregullimit të gjuhës dhe gjuhëve të bashkësive që janë më pak se 20% është zgjidhur hap pas hapi. Nuk është rrumbullakësuar deri tani konform Amandamentit V të Kushtetutës – u shpreh Rexhail Ismaili, BDI.

Deputetja, Stamenkovska nënvizoi ndër tjerash se ligji do të shkaktojë implikime të mëdha financiare dhe se po sillet pa debat, respektivisht siç u shpreh përmes “derës së vogël”. Asaj iu kundërpërgjigj zv/kryetari i Komisionit, Hari Llokvenec.

Këtë ligj përpiqeni ta fusni në “derë të vogël”. Së pari, ligj i këtij karakteri duhet fillimisht të jetë në Komisionin për Sistem Politik si komision amë e pastaj në të gjithë komisionet tjera. Së dyti, në ligj që duhet të votohet me 2/3 e votave vendosni yllin me qëllim që të votohet me shumicë të thjeshtë. Kjo është sjellje e ligjit në “derë të vogël – theksoi Nevenka Stamenkovska, VMRO DPMNE.
Ylli evropian nuk nënkupton ikje nga procedura për shumicë prej 2/3. Ylli evropian nuk është garancë për shumicë të thjeshtë dhe ju lutem, në interest ë opinionit, mos e përdorni këtë shprehje. Ylli evropian është vetëm garancë se ky ligj do të ishte në përputhje me rregullativat evropiane dhe rregullativat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian – tha Hari Llokvenec, Zv/kryetari i Komisionit për Sistem Politik.

Nesër është dita e fundit e debatit për këtë propozim-ligj në Komisionin për sistem politik./alsat-m

Comments

comments