Diaspora, ‘haraçin’ në kufi

Diaspora, ‘haraçin’ në kufi

Mërgimtarët kosovarë edhe këtë vit janë detyruar t’i paguajnë tarifat e sigurimit kufitar, ku përveç kostos financiare kjo po u shkakton edhe vonesa në kufi.

Zyrtarët shtetërorë jo vetëm që nuk e kanë mbajtur premtimin për heqjen e taksave të tilla të kompanive të sigurimeve, por as nuk ua kanë mundësuar që pagesat e policave të bëhen online, duke i shmangur pritjet e gjata në kufi.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka deklaruar për “Zërin” se janë duke punuar vazhdimisht që të krijohet një mundësi për anëtarësim të Kosovës në Kartonin e Gjelbër.

“Duke qenë se Kosova nuk është anëtare e OKB-së nuk mund të jetë as anëtare e Këshillit Evropian të Byrove, që njihet si Kartoni i Gjelbër. Kjo jo pse nuk dëshiron Kosova, por për shkak se kompanitë e sigurimit në vendet e BE-së nuk e marrin përsipër mbulimin e dëmeve të shkaktuara në territorin e Kosovës. Jam angazhuar që të gjendet ndonjë zgjidhje e përkohshme derisa të krijohet mundësia për t’u anëtarësuar në Kartonin e Gjelbër”, tha Murati.

Murati: Pagesa online ka ngecur

Murati tha se po punohet që edhe këto pagesa të bëhen online, por ky proces momentalisht ka ngecur.

“Kam insistuar që si një mekanizëm lehtësues të mundësohet pagesa online e tarifave të sigurimit kufitar. Për këtë çështje jam në kontakt të vazhdueshëm me Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) dhe kohët e fundit kjo çështje ka ngecur edhe për shkak të vështirësive të realizimit teknik të këtij projekti në raportet Polici e Kosovës dhe BKS”, tha ai.

Ndërsa sa i përket radhëve të gjata të pritjes ai tha se pagesa e sigurimeve është një faktor që ndikon në zgjatjen e pritjeve, por edhe përqendrimi i bashkatdhetarëve në një pikë të vetme.

Ai u bëri thirrje që t’i shfrytëzojnë edhe pikat e tjera në të cilat nuk ka pritje fare.

Ministri Murati tha se nga ky vit pritet edhe ndërtimi i terminaleve të reja doganore në Merdare.

Faton Topalli, deputet i lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk ka dhënë rezultate sa i përket përmirësimit të kësaj çështjeje.

“I gjithë dialogu me Serbinë është arsyetuar me deklarimin se do t’i kontribuojë përmirësimit të jetës së qytetarëve. Kolonat në kufi për vite me radhë flasin më së miri se sa është lehtësuar jeta e qytetarëve, derisa në vendet evropiane kaluan pa u ndaluar asnjëherë në kufi. Në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë duhet pritur me orë të tëra pa asnjë arsye”, tha Topalli.

Ai tha se mërgimtarët e Kosovës kanë kontribuuar me 780 milionë euro në vitin 2015, që ishte sa gjysma e buxhetit të atij viti.

Ai po ashtu tha se deri në vitin 2015 kompanitë e sigurimeve kanë paguar vetëm 10% të shumës që kanë inkasuar në kufi për dëmet që kanë shkaktuar mërgimtarët.

Pra, sipas tij, kanë pasur fitime marramendëse dhe në këtë kuptim çmimi i policave kufitare është jashtëzakonisht i shtrenjtë.

Ai tha se arsyeja pse Kosova nuk ka marrëveshje me Byronë Evropiane të Kartonit të Gjelbër janë pikërisht kompanitë kosovare të sigurimeve.

“Arsyeja pse ne nuk kemi marrëveshje me Byronë Evropiane të Kartonit të Gjelbër janë kompanitë e sigurimeve në Kosovë, të cilave nuk u konvenon një marrëveshje e tillë.  Deri më tani ato kanë fituar mbi 200 milionë euro nga mërgimtarët e Kosovës. Procesi i marrëveshjes nuk është vonuar, ai është penguar me qëllim nga kompanitë e sigurimeve. Deri më tani të gjitha institucionet përgjegjëse për luftimin monopolist kanë heshtur. Kështu ne kemi plaçkitje të organizuar nga mafia e sigurimeve në bashkëpunim të heshtur me institucionet”, tha ai.

Lluka: Kartoni i Gjelbër të lidhet me Shqipërinë

Ndërsa Jahja Lluka, udhëheqës i Departamentit për Diasporë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, tha për këte media se ka shumë forma përmes të cilave mërgimtarët mund të lirohen nga këto pagesa.

“Duke u bazuar në kontributin e mërgimtarëve tanë në të gjitha periudhat kohore dhe ekzistenca e mundësisë që Kartoni e Gjelbër të lidhet me Shqipërinë që s’është asnjë problem sepse këtë e ka bërë edhe Mali i Zi kur është pavarësuar nga Serbia. Pse na nuk e bëjmë një gjë të tillë? Por edhe nëse nuk ka asnjë zgjidhje tjetër mund të bëhen pagesat në konsullata, në ambasada apo edhe online që të mos të ketë pritje. Mund të lidhemi me Shqipërinë, por ndoshta dikush preferon që të lidhemi me dikë tjetër”, tha Lluka.

Ndërsa Ibrahim Rexhepi, nga Aleanca Kosova e Re (AKR), tha se mërgimtarët vazhdojnë të paguajnë kosto të lartë për të ardhur në vendlindje.

“Bashkatdhetarët po paguajnë një kosto të rëndë, një kosto që realisht nuk është dashur ta paguanin. Për këtë çështje fillimisht është dashur të përkujdeset Qeveria e Kosovës, të krijojë një lehtësi qoftë edhe pa ndonjë pagesë nga mërgimtarët, në mënyrë që këtë çështje ta zgjidhte me kompanitë e sigurimeve”, tha Rexhepi.