Diaspora shqiptare në Amerikë ka vetëm një Atdhe

0

Intervistë me Mahmut Skenderi,sekretar i SHSHA-së në Çikago i nderuar me Mirënjohje nga LQSHA(Joe DioGuardi)

Në rrugën e mërgimit jeta dhe padrejtësitë historike të shqiptarëve në hapësirën etnike në Maqedoni, i shtrëngoi që të marrin botën në sy thuaja në të gjitha vendet e botës.

Para 45 vjetësh,Mahmut Skenderi nga Veleshta e Strugës,me një valixhe dhe pak bukë me vete u nis në udhën e pafund të mërgimit për të parë se sa vonë lind dhe perëndon dielli në tokën e huaj…Një pjesë të jetës rinore veleshtari e kaloi në Itali dhe më vonë u nis për të kaluar detin atje në Amerikën e largët në Nju Jork dhe Çikago.

Veprimtari Mahmut Skenderi për 45 vjet u bë pjesë e lëvizjeve të mëdha kombëtatre që ka zhvilluar diaspora shqiptare në Amerikë për çështjen shqiptare në Ballkan, që hedhnin dritë për padrejtësitë e ndarjeve të trojeve tona etnike nga fqinjët grabitqarë (serb,grekë,malazezë dhe maqedonas) dhe për pjesën më të dhimbshme të Kosovës dhe të Çamërisë.Është i lumtur veleshtari që e priti ditën e madhe të Lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës. Përkitazi me aktualitetin sot e këtu,për (INA) zhvilluam këtë intervistë.

Mërgimi për ty Mahmut Skenderi…?

– Kohë e rëndë dhe sikur jeni vendosur në një vend ku as dielli nuk lëshon rrezet e tij!Erdha nga Veleshta djalë i ri dhe pas 45 vjetësh thinjat e flokëve tregojnë udhët e jetës plot mall e ëndrra që sikur ,,rrija,, me Veleshtën time!

Fryma e lëvizjeve të diasporës dhe çështja shqiptare?

-Në këto vite asnjëherë nuk jam ndalur për të bërë udhën me njerëzit tanë në Amerikë,në protesta e demonstrata në Çikago,Nju Jork dhe Washington për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Në këto orë të kujtimeve historike nuk ka munguar zëri ynë i protestës për ndryshimet demokratike në Shqipëri dhe zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë dhe Çamëri. Ende
nuk është zgjidhur çështja shqiptare në hapësirën etnike në Ballkan.

Po sot çështja shqiptare,klasa politike,e sotmja dhe e ardhmja e popullit shqiptar…?

-Është e dijtur se pas Luftës së Dytë Botërore, populli gjermanë për pesë vjet pati ngrënë veçse patate për të arritur deri sot një nga vendet më të zhvilluara në Evropë. Ku jemi ne? Në Shqipëri dhe Kosovë përditë na vijnë habere të këqija, ne që jemi në Amerikën e largët i përjetojmë me shqetësim se çfarë po ndodh. Ata që erdhën në pushtet me votën e popullit duhet të mendojnë për përgjegjësinë që kanë para Atdheut.Jo parti-shtet,por për shtetin të gjithë i madh e i vogël që në fillim të këtij shekulli të ndalet valixha e mërgimit për shqiptarët. Atdheu ynë shqiptar nuk e meriton të jetë i varfër në kohën kur Evropa po bashkohet dhe vlerat tona duhet të participijmë me popujt tjerë në BE dhe në miqësi të përjetshme me Amerikën.

Mirënjohja nga LQSHA(Joe DioGuardi)çfarë do të thotë për ty?

-Me arbëreshin Joe DioGuardi ka 35 vjet që jemi në bashkëpunim.Kam mësuar prej tij se si duhet të punojmë e të veprojmë kur është në pyetje çështja shqiptare dhe Atdheu. Kur e vizituam, Shqipërinë pas përmbysjes së sistemit komunist,DioGuardi në Tiranën e varfër e të rraskapitur nga regjimi dhe izolimi,me thoshte se Nëna Shqipëri është e varfër dhe kështu si e varfër duhet me dashtë shumë Nënën Shqipëri…! E kam për nder që jam nderuar me këtë Mirënjohje nga Joe DioGuardi,që për këto vite ishte një zë i fuqishëm për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Arbëreshi ynë ishte në Hagë dhe para kryekriminelit Millosheviq ia përplasi para syve tërë katrahurën vrastare deri në shkallë të gjenocidit ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Me vjen keq që udhëheqja shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni ia kanë kthyer shpinën Joe DioGuardit dhe e kanë lënë në harresën e ,,politikës,, ditore të tyre!Diaspora Shqiptare në Amerikë dje dhe sot ishte dhe do të jetë gardiani në mbrojtje të çështjes shqiptare në trojet tona etnike në Ballkan.

Bisedoi:Skënder Karaçica

 

Komentet

komentet