Dibër, përfaqësimi i shqiptarëve i mjerueshëm, shqipja nuk respektohet (VIDEO)

Dibër, përfaqësimi i shqiptarëve i mjerueshëm, shqipja nuk respektohet (VIDEO)

Pjesa më e madhe e të punësuarve në institucionet në Dibër janë nga komunat tjera. Kështu reagojnë nga shoqata qytetare “Një dollarë për Dibrën” duke kërkuar përfaqësim më të madh të shqiptarëve në institucione si dhe përdorim të plotë të gjuhës shqipe. Kërkojnë t’u mundësohet dibranëve ankesat përveç maqedonisht t’i shkruajnë edhe shqip.

Nga kjo shoqatë vlerësojnë se kërkesën për përdorimin e shqipes në formë peticioni ta dorëzojnë tek të gjitha ministritë dhe organet shtetërore. Reagon edhe vetëqeverisja lokale e Dibrës. Kryetari i Këshillit, Bashkim Mashkulli, për Alsat M tha se në disa institucione shtetërore siç janë policia, kadastra, hidrocentrali Shpilje dhe institucione tjera, numri i të punësuarve shqiptarë sipas numrit të banorëve është i vogël. Në organet e pushtetit lokal përfaqësimi i shqiptarëve arrin në 70 për qind që ka për bazë strukturën etnike të komunës, por në ndërmarrjet shtetërore dhe njësitë rajonale të ministrive përkatëse numri i shqiptarëve të punësuar është në rreth 40 për qind.

Drejtuesit e hidrocentralit “Drini i Zi” nën kompetencën e të cilit është hidrocentrali Shpilje, thonë se ata nuk pranojnë punëtorë sipas përkatësisë etnike, por sipas arsimit përkatës dhe se bëjnë zgjedhjen e kandidatëve të paraqitur në bazë të konkursit që publikohet.