DINJITET, DASHURI, DREJTËSI E DASHURI NDRYSHE PËR KOMBIN, ATDHEUN E SHTETIN

DINJITET, DASHURI, DREJTËSI E DASHURI NDRYSHE PËR KOMBIN, ATDHEUN E SHTETIN

Nga Jakup Krasniqi

Kur njeriu analizon mirë historinë shumëshekullore të popullit shqiptar, nga pellazget, te iliret e pastaj të albanët, epirotet e maqedonasit e vjetër deri të emri i sotshëm shqiptar, s’ka si mos të të bëjë për vete ky rrugëtim i gjatë e i vështirë i këtij populli. Mënyra sesi ky popull i lashtë u mbijetoi shekujve është më shumë se mbresëlënëse. E ky popull i lashtë erdhi deri këtu, duke iu falënderuar kujtesës se bartur nga brezi në brez, mbamendjes fantastike, trashëgimisë kulturore e filozofike të ngjeshur e të thuktë, me porosi goditëse e shprehje të thjeshta e shumë domethënëse, me lidhjet të forta familjare, fisnore, gjuhësore e kombëtare. Veti këto që i mundësuan popull shqiptar t’ju mbijetoi të gjitha rrebesheve dhe errësirave të historisë dhe kjo është një mrekulli tjetër në vete! Unë i përulem kësaj dhuntie të mrekullueshme të stërgjyshërve të mi! I përkulem edhe gjeneratës se Adem Demaçit dhe asaj të Adem Legjendarit, që kombit ia kthyen një të tretën e Tokës se grabitur! Më shumë se kaq ky brez nuk mund të bënte! Brezat e se ardhmes, mbase edhe mund të bëjnë!
Ndërsa ajo që më bënë shpesh të hezitoj t’i përkulem këtij populli fantastik qe dikur ishte besnik, është: mungesa e madhe e dashurisë “emocionale për shtetin”, të cilën gjë, para gati 160 viteve e kishte vërejtur shkencëtari gjerman Flamerajeri. Kjo mungesë e dashurisë emocionale për shtetin është tepër e fuqishme edhe sot, në secilin komunitet të organizuar të shoqërisë shqiptare (atyre që krijojnë opinion), edhe në komunitetin e intelektualëve, mbase edhe të secili qytetar si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni Perëndimore. Madje kjo sëmundje e ka përfshirë edhe pjesën e Lëvizjes Kombëtare të Fshehtë për Çlirim, të cilës për një kohë të vështirë të veprimit të saj nuk mund t’i mohohet atdhedashuria dhe gatishmëria për të sakrifikuar për komb e shtet!
Pse hezitoj nganjëherë t’i përkulem?
Më bënë të hezitoj vetëm pushtimi i gjatë, madje tepër i gjatë dhe ky pushtim i gjatë e bëri popullin tim që mos ta dojë shtetin, por e deshi shumë vendin e vet – Atdheun – Shqipërinë; e deshi shumë gjuhën e Nënës – gjuhën Shqipe; e deshi shumë familjen e vet, pasardhësit e vetë, kulturën e filozofinë e vetë, të gjitha këto të shkruara në koka e kokat ia përcillnin kokave të brezave dhe kjo është shtylla, mbase kryeshtylla që i bëri dhe e ruajti të veçantë popullin tim, nga u bë Kombi shqiptar, si të gjithë kombet tjera të Evropës, të cilët kombe e patën një rrugëtim më të lehtë se rrugëtimi i popullit tim!
Ata që e kishin më të lehtë rrugëtimin nëpër histori duhet të na kuptojnë ne, që humbëm copa të mëdha të Atdheut, humbëm pjesë të mëdha të kombit, të cilët u detyruan të iknin në rrugët e Lindjes (Turqi, Siri, Liban e Misir etj.), e tani edhe në rrugë të Perëndimit e deri në Zelandë të Re e Australi. Ishte dhe është kështu se nëpër vite kishim pak njerëz me integritet, dinjitet e vizion të qartë për shtetin, zhvillimin e progresin! Gjatë historisë shumëshekullore, patëm edhe vitet që investuam shumë për shtetin, por atë dashuri e mbyti lakmia për pasurim personal e varfërim kombëtar. Kështu pat ndodhur pas 28 Nëntorit 1912, e kështu po ndodh edhe pas 17 Shkurtit 2017!
Tani jemi këtu ku jemi dhe jemi keq, e në ketë gjendje krejt çështja është: si të kalohet kjo gjendje, në ketë situatë më shumë se kaotike e më gjasa me mundësi të vogla zgjidhjeje fatlume. Zgjidhje fatlume sigurisht që ka, por jo me ketë shkallë të lartë të egoizmit e të lakmisë që ka mbërthyer të gjitha komunitetet e organizimit shoqëror të shqiptarët?!
Ka gjasa të vogla zgjidhjeje, pasi veç politikës qeverisëse të dështuar edhe të gjitha komunitetet që e krijojnë opinionin publik, nuk ngurrojnë që t’ i linçojnë të gjithë ata që guxojnë ta duan atdheun e vet e të bien ndesh me sundimtaret e Kosovës dhe ekzaltohen kur ndonjë i huaj i “lavdëron” apo u thur ditirambe po këtyre sundimtarëve, që ne i njohim si “parën e kuqe”!
E pastaj eja e bëjë politikë të mençur në ketë vend ku mashtrimi është bërë kulturë dhe merimangë helmuese për çdo ndryshim?! Në ketë ambient është vështirë të besh politikë atdhetare, racionale e largpamëse. Aty ku sundimtarëve u bëhet temena, sa herë që atyre u vije ndonjë mbështetje nga jashtë për të bërë ndonjë lëshim të “vogël” në territor a në sovranitet, është lehtë të qeverisës keq?! Edhe ato mbështetje që vijnë nga jashtë janë si ato të pleqnarëve tanë që nga pak ia mbanin hatrin më të fortit?! Ndryshe nuk flinte puna! Edhe para Pavarësisë e sidomos pas saj, bota demokratike i ka bërë favore të mëdha Serbisë në raport me Kosovën dhe në dëm të saj. Shembulli më i mirë, ndonëse jo i vetmi është Gjykata Speciale?!
Prandaj i përkulem popullit atdhedashës, por jo atyre që janë temenabërës karshi më të fortit! Temenatë vazhdoj që t’i kam zët edhe sot e gjithë ditën! Një gjë mbetet më se e sigurt, pas globalizmit të dështuar në qellim, duhet një dinjitet, dashuri, drejtësi e dije ndryshe për Atdheun, Kombin e Shtetin. Sidomos kjo vlen për kombet e vegjël e shtetet e reja! Të gjithë duhet ta dimë: Bota nuk sillet rreth nesh, pasi pak kujt në ketë botë gjaknxehtë i prishim pazare! Po kështu siç jemi tani, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni Perëndimore, pazare nuk i prishim askujt! Prandaj elitat tona politike e intelektuale (nëse mund t’i quajmë elita), duhet të ulen në Tokë për ta parë gjendjen ku jemi dhe ku synojmë të arrijmë! Kështu si kemi ecur në këto vitet e “tranzicionit demokratik”, nuk do të ketë progres as për kombin e as për shtetin! E Progresi na duhet si buka e uji për jetën!