Duartrokitje dhe lot gëzimi për Skënderbeun në Paris

Duartrokitje dhe lot gëzimi për Skënderbeun në Paris

Parisi priti dhe nderoi kryeheroin kombëtar shqiptar “Skënderbeun”, interpretuar nga aktori dhe regjisori Xhevat Limani, dhe “Donikën” interpretuar nga soprano Era Hoxha në sallën e “Theatre Montorgueil” të kryeqytetit francez, njofton agjencia e lajmeve INA.

Artëdashësit kryesisht shqiptar, patën rastin dhe nderin, mbase edhe privilegjin që të shijojnë magjinë e teatrit, magjinë e skenës, magjinë e interpretimit jashtëzakonisht të motivuar dhe të shkëlqyer me tërë origjinalitetin e tij të Xhevat Limanit dhe Era Hoxhës e kjo magji ishte shfaqja “Skënderbeu”.

Vetë Xhevat Limani, pas shfaqes në një komunikim u shpreh: “Shqipërisht në Paris. Duartrokitje, lot gëzimi, prezencë klasi intelektualësh dhe artdashës nga të gjitha trojet shqiptare. Drithërima zemrash dhe vullkan dëshirash që mbajnë në zemër flakën e ndezur të ëndërrimit shqip. Falenderim, respekt dhe mirënjohje”.

Pas prezantimit të kësaj pjese teatrore në Zagreb, në Vienë- aty ku ruhen shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut, projekti vazhdoi në  Luzern dhe Gjenevë të Zvicrrës për ta mbyllur këtë turne me shfaqen në  “Theatre Montorgueil” në Paris, ku vlerësimet janë se Skënderbeu e ka shpëtuar krishterimin europian nga asimilimi.

Perdja e këtij turneu të “Skënderbeut” në gjuhën shqipe u mbyll në Paris, por aktori dhe regjisori Xhevat Limani ka premtua se poemën dramatike “Skënderbeu” këtë margaritar të kulturës sonë së shpejti do ta shfaqë edhe në anglisht, si dedikim special në rend të parë miqve tanë të përhershëm amerikanë, e pse jo edhe atyre europian në skenat e tyre teatrore.

“Gjergj Kastriotit Skënderbeu”, është vepër e autorit  Xhevat Limani, i cili pos tekstit, e ka bërë edhe regjinë në bashkëpunim me Michael Tylo dhe paraqitet në rolin e Skënderbeut, ndërsa, soprano Era Hoxha, paraqitet në rolin e Donikës, me arie të kompozuara enkas për rolin e Donikës, nga kompozitori Aleksandër Peçi, me libreto të Xhevat Limanit,  ndërsa muzikën për shfaqen si tërësi e ka bërë Elvis Peçi.

Mozaiku i elementeve të kësaj shfaqe përbëhet nga skenografia e Kristaq Kapedanit, kostumet e Fadil Sahitit-sipas idesë së regjisorit, përkrenaren dhe shpatën e Lenny Tarrantinos, me elemente koreografike të Altin Naskës, efektet e dritës sipas regjisorit. Të gjitha këto komponenta dhe  elemente përbërëse të kësaj shfaqe,  dëshmojnë se kjo pjesë është punuar me përkushtim të veçantë për një kohë të gjatë.

Personazhi i  Gjergj Kastriotit  Skënderbeu, interpretohet nga  aktori shqiptaro-amerikan Xhevat Limani. Donikën  e interpreton sopranoja Era Hoxha ndërsa karakteret tjerë paraqiten përmes sekuencave filmike dhe zërave. Muzikën e ka komponuar Aleksander Peçi; kostumet:  Enkel Dika; skenografinë : Kristaq Kapedani. Regjisor: Xhevat Limani & Michael Tylo-aktor dhe regjisor hollyvudian. (INA)