Ekskluzive: Ja çfarë përmban Deklarata që bashkoi liderët shqiptarë

Tiranë, 29 dhjetor – Duke respektuar vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe nevojës për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese, të përcaktuar pa asnjë alternativë tjetër për integrim në NATO dhe në BE, biem dakord për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe në çdo mandat tjetër pasues. Kështu nis Deklarata e nënshkruar nga katër liderët shqiptarë – Ali Ahmeti i BDI-së, Bilall Kasami i Lëvzijes BESA, Ziadin Sela i Aleancës për shqiptarët, si dhe Fadil Zendeli i RDK-së sot pasdite në Tiranë, takim ky i organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Deklaratën të cilën ka arritur ta shohë gazeta KOHA parasheh pika të rëndësishme të shqiptarëve, të cilët medoemos do t’i dorëzohen mandatarit nga pala maqedonase në bisedime për formimin e Qeverisë. “Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, përfshirja e parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët të njihen si popullsi shtet-formues, arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi përdorimit të saj si e drejtë themelore, përdorimi i simboleve kombëtare shqiptare (flamuri dhe stema)”, parasheh pika e parë e Deklaratës, për të cilën katër liderët shqiptarë kanë rënë dakord. Gazeta KOHA gjithashtu shkruan se buxheti dhe zhvillimi i barabartë i rajoneve të banuara me shqiptarë zë vend kryesor në këtë Deklaratë, e cila në takimin e radhës pritet të firmoset edhe nga lideri i PDSH-së. “Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal, krijimi i një mekanizmi të ri në formën e një Komisioni shtetëror për financimin e komunave, për një vendimmarrje më të drejtë dhe miratimin me shumicën e dyfishtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave…”, shkruan Deklarata, përcjellë gazeta KOHA. Deklarata e firmosur parasheh gjithashtu themelimin e një Ministrie për Komunitetet, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara. Veç kësaj, Deklarata obligon partitë shqiptare për përfaqësim të drejtë në organet e sigurisë-policisë dhe në ato të drejtësisë. Gjithashtu, vend të rëndësishëm ka zënë edhe financimi i kulturës dhe aktiviteteve kulturore shqiptare, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Madje, kërkohet edhe krijimi i një institucioni qendror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktorëve dhe lektorëve. Deklarata, e cila në takimin e radhës do të firmoset edhe nga PDSH, përfshinë edhe integrimin e shpejtë në NATO dhe në BE.

Comments

comments