Ekskluzive: Kur fisnikët shqiptarë e vizituan Vjenën në vitin 1917, Imzot Kacorri i printe delegacionit (FOTO)

0

Në mesin e prillit të vitit 1917, një delegacion prej 34 shqiptarësh, të ftuar nga komandanti i forcave ushtarake austriake qe gjindeshin në territoret shqiptare, gjenerali Ignaz Freiherr Trollmann, vizitoj kryeqytetin perandorak austriak Vjenë.

Nga Pjeter Logoreci

Delegacioni që arriti në Austri me 17 prill, u prit në stacionin qëndror hekurudhorë nga shumë personalitete ushtarake dhe diplomatike perandorake, si gjeneralet Trollmann e Myrdacz, gjenerali Ritter von Gross, konsulli Rudnay si dhe gazetari i njohur perandorak Leo Freundlich (i cili ka shkruar e dokumentuar të detajuara momentet e vizitës së delegacionit shqiptar gjatë gjithë kohës, të cilat janë referenca ime në këtë shkrim).

Qellimi i ardhjes së përfaqësuesve shqiptare ishte një takim nderimi me perandorin e ri Karl, si dhe për të bërë homazhe tek varri i perandorit Franz Josef.

Delegacioni, në përberje të cilit ishin burrat më në zë(prijës) nga të gjithë territoret shqiptare, bëri pershtypje të madhe nëqytet. Prijësit e fisem malësore shqiptare të veshur me kostumet e tyre kombëtare, shumëngjyrëshe, të qendisur me fije arit, ndiqeshin me vemendje nga vjenezët, gjatë vizitave të tyre të shumta në pikat më të spikatura të qytetit.Njerzit ishin të befasuar nga pamja kranare e burrërore e këtyre burrave shtatëlartë me mustaqe kreshnikësh që njiheshin deri atë herë vetëm në shkrimet apo veprat e publikuara nga studiusit albanologë austriak. Turma kureshtare njerzish mbushnin trotuaret, kur delegacioni kalonte në makina luksoze, pajtonet karakteristike vjeneze apo në ndonjë vagon special tramvaji, për të shijuar bukuritë e qytetit më në zë europian. Grupi shoqërohej nga Profesorët Gjergj Pekmezi dhe Kolë Rrota që jetonin e punonin në Vjenë.

Në arkivat e ministrisë së jashtme të kohës së perandorisë Austro – Hungareze, gjinden informacione konfidenciale, të cilat janë dërguar (në shifër) nga konsulli austriak në Shqiperi Kral, ministrit të jashtëm kontit Ottokar Czernin, në Vjenë. Dokumentet janë lista që përmbajnë emrat e të ftuarve, e ku për secilin të ftuar, gjindet një pershkrim i shkurtër biografik i bërë nga konsullatat austriake në Shqipëri. Dokumenti i parëështë dërguar nga Shkodra dhe mband datën 10 prill 1917. Listat jane te formuluara sipas ndarjeve te rretheve apo qyteteve:

Bezirku I – RRETHI I SHKODRES

Musa Efendi Juka, Kryetar Bashkie i Shkodres, rrjedh nga një familje e përmendur shkodrane. Në kohën e turkut ai ishte nënpunës i lartë i finanzave në vilajetin e Shkodres. Mbas pushtimit të qytetit nga malazezët (1913) u largua për në Konstantinopel, por me pas u kthye përsëri në Shkoder ku ndihmoj shumë në përhapjen e politikës së turqve të rinj. Për këtë arsye, mbas pushtimit të dytëtë qytetit nga malazezët (1915), u mbajt në burg për një muaj. Eshtë Kalorës i urdhërit të Franz Josefit.

Kol Ujka , tregtar ( ka zevendësuar Gjon Cobën i cili për arsye shëndetsore ka lajmëruar mos marrjen pjesë në grup) Gjon Coba, vjen nga një familje e njohur katolike shkodrane. Babai i tij ishte për 40 vjet përkthyes i konsullatës së pergjithëshme austriake në Shkoder, punë të cilën e ka kryer me nder. Ai ka mbajtur me ne lidhje të ngushta e për këtë në vitin 1915 u internua nga malazezët e Podgoricës. Ai është si babai i tij, një tregëtar i madh.

Hassan Efendi Bekteshi, rrjedh nga një familje e vjetër shkodrane. Eshtë tregëtar i madh. Gjyshi i tij, ishte në kohën e vezirit Mustafa Pasha “Kuluktishibash”, postëkomandant i Shkodres, babai i tij ishte “Bylykbash”, perfaqësues i malesive në Shkoder. Hasan Efendi është politikisht në anen tonë. Në vitet 1914/1915 ndihmoj politikën e turqve të rinj, që vepronte kundër Essad Pashës, prandaj u kap dhe u burgos nga malazezët per një muaj.

Vat Marashi, Bajraktar i Shkrelit. Mudir (administrator)i Pulaj në kohë të turkut dhe të fuqive nderkombëtare. Ai kishte lidhje shumë të mira me autoritetet turke, por pas qëndrimit të njeanshëm poshtërues të turqve u vendos në krah të malësorve. Në pushtimin e parënga malazezët u internua si mbeshtetës i turqve. Ai është një politikan i mirëfilltë dhe një orator i talentuar.

Gjelosh Gjoka, Vojvoda i Kastratit, bashkëpunetori ynë i sinqertë. Ishte në sherbim të princit Wied në Durrës e mbas ikjes së tij u kthye në Kastrat përseri. Kur ushtritë malazeze kaluan kufirin shqiptar ai largohet për në Shkoder (1915). E gjithë pasunia e tij u plackit dhe u dogj në mungesë të tij. Eshtë mbajtës i kryqit të arit për merita.

Abdi Kola, Bajraktari i Shoshit

Hasan Ahmeti, Vojvoda i Postripës

Për Lezhën:

Mano Bey Mehmed Bey, rrjedh nga një familje shumë e vjetër dhe e permendur nga Lezha. Babai, gjyshi si edhe ai vetë ishin Mudir të malsisë së Lezhës. Familja e tij është pronare e madhe tokash.

Ded Coku nga Bregu i Matit,vjen nga fisi Klementi (Nikci), ishte perpara shumë i pasur, por e humbi një pjesë te pasurisë (tokave)për shkak të rebelimit të tij kundër pushtetit osman, luftës kundër rebelleve të Shijakut dhe kundër Essad Pashës. Ai është nacionalist i flakët shqiptar dhe perkrahës i hapur i Austro Hungarisë. Ka luftuar ne anën tonë kundër armiqve të perbashkët. Eshtë mbajtës i Kryqit të artë për merita të vecanta.

Mehmed Bey nga Lezha

Bezirku III – Për Pukë e Mirditë

Kapitan Nue Gjoni, vëllai i kapitanit të Mirditës Marka Gjoni, kushëri i Prenk Bib Dodës. Pasardhës i familjes së permendur Gjon Markaj nga Oroshi. Përkrahës i monarkisë Austro Hungareze. Mori pjesë në luftimet kundër rebelve të Shijakut, kundër serbëve dhe Essad Pashës.

Zef Ndoci, Vojvoda i Spacit ( i biri i Ndoc Ndrecës, komandant i Mirditës në kohë të turkut). Ka qënë për shumë vjet mësues në shkollën e famullisë së Spacit. Mori pjesë aktive në qëndresën kundër turqve, në luftën kundër serbëve dhe kundër Essad Pashës të cilit i shkaktoj dëme të mëdha. Shqiptar nacionalist dhe simpatizant i monarkisë Austro Hungareze. Mbajtës i kryqit të artë për merita të vecanta.

Zejnel Aga Ibalja, Vojvoda i Iballës, nga një familje shumë e permendur dhe e pasur. Ai luftoj bashkë me Bajram Bey Currin kundër serbëve dhe Essad Pashës në krah të prinzit Wied. Eshtë i njohur për miqësinë me ne.

Bezirku i IV

Muharrem Pengili nga Kruja, përpara Mufti, tashti Naib-Mufti në Krujë. Një klerik shumë i njohur dhe shumë burrëror muhamedan.

Ahmed Bey nga Mati, përfaqësues e trashëgimtar i fisit zotërues të Matit, Zogolli që trashëgoj nga rregjimi turk ofiqin Kajmakam. Luajti një rol të rëndësishëm në autonominë e Shqipërisë. Luftoj kundër serbëve dhe ishte një kundërshtarë i Essad Pashës. Vuri në dispozicion të ushtrisë tonë kur hymë në Shqipëri, 4000 – 5000 luftëtarë vullnetarë të cilët luftuan në frontin pranë Vjosës. Eshtë nderuar me urdhërin më të lartë të Kaiserit Franz Josef.

Bezirku i V – Rrethi i Tiranës

Mussa Maci, perpara ishte Kryetar Bashkie, familje me zë, tregtar dhe qytetar tiranas me ndikim shumë të madh në Tiranë.

Xhelal Bey, nga familja e Toptanve, kushëri por kundërshtar i Essad Pashës. Pronar i madh tokash. Politikan dhe burrë i mencur.

Për Durrësin

Izzeddin Beshiri, ishte perpara Nën- Perfekt e tashti Kryetar Bashkie i Durrësit. I ri në moshë, por shumë inteligjent dhe i gatshëm të ndihmojë kudo. Vjen nga një familje e mirë. Bashkëpunëtor i zellëshëm i administratës tonë qysh në fillim të okupimit. Mban kryqin e artë me kurorë për merita të vecanta.

Monsignor Nikollë Kacorri, Protonotar Papnuer, famullitarë i Durrësit, nacionalist dhe mbështetës i monarkisë Austro Hungareze. Prift i përkushtuar. Burrë me inteligjencë e personalitet të vecantë.

Për Kavajen

Kassim Bey, nga një familje e permendur. Shumë i pasur, Kryetar Bashkie i Kavajës.

Shehziver Bey, nip i Eliaz Pashës nga Dibra – Ohri. Nip i të shumë njohurit e të nderuarit nga Shqipëria e mesme Aqif Pashës. Ka ndihmuar gjatë ardhjes së trupave tona dhe bullgare me vullnetare. Në gjashtë muajt e parë të vitit që shkoj ishte Perfekt i Elbasanit. Eshtë i dekoruar si kalorës i Franz Josefit.

Për Elbasanin

Lef Nossi, i besimit ortodoks, nga një familje e pasur tregëtare kristiane, me gjithë rrezikun e madh në kohë të qeverisë turke, ka organizuar njerzit, shumica nga banorët ortodoks të Elbasanit, për një levizje nacionale shqiptare. Ishte minister për postë dhe telegraf në qeverinë e Ismail Qemal Beyt dhe sekretar i pergjithëshëm në të njëjtën ministri në kohë të Wiedit.

Irfan Bey nga Elbasani, nip i Aqif Pashës

Për Berat e Skrapar

Sami Bey Vrioni, pjestar nga familja e vjetër Vrioni që janëzotërues tokash e pasanikët latifondistë më të mëdhenjtë në zonën e Devollit. Eshtë dhëndërri i Essad Toptanit, ishte Administratori i oborrit (Hofmarschall) te Prinz Wied-it.

Mehmed Essad, një klerik mohamedan shumë i përmendur, përpara ishte myftiu i Beratit, tashti drejtues i seminarit muhamedan aty.

Demeter Lavda, i besimit ortodoks grek, burrë i përmendur dhe tregëtare i njohur.

Për Lushnjën

Ahmed Bey Resuli, vjen nga një familje e vjetër dhe e përmendur, shumë i pasur.

Emin Vokopola, një burrë me shumë autoritet, shumë i njohur dhe pasanik.

Për Fierin

Kahreman Bey Vrioni, kushëri i afërt i Samy Bey Vrionit, i pasur dhe i nacionalist. Luftoj si oficier kundër rebeleve dhe Essad Toptanit, ka arritur suksese të mëdha në këtë luftë duke i prirë trupave tona, është i besuari jonë dhe është Kalorës i urdhërit të Franz Josefit.

Bezirku i VI – Zhuri – Peshkopija

Elez Jussuf, është një burrë shumë i njohur dhe me autoritet në zonat e Drinit nga Dibra. Eshtë i besuari ynë, bëri qëndresë ndaj disa grupeve në Diber duke propaganduar influencën gegë. Kundërshtoj hapur propagandën e partisë së Essad Toptanit. Luftoj në krye të vullnetarve kundër serbëve deri në tërheqjen e tyre. U vu në sherbim të forcave tona dhe ka fituar për merita lufte urdhërin e lartë si oficier i Franz Josefit.

Salih Spahija nga Luma, është përfaqësues i familjes më të rëndësishme në Lumë, ka luftuar kundër Serbve, është nënprefekt në administraten tonë. Ka shumë influencë.

Për Krasniqin

Hysni Bey Curri, nip i Bajram Bey Currit. Në kohën e reformave në Maqedoni (1914), bashkë me Bajram Currinishte ndjekës i Hysni Hilmi Pashës, inspektorittë komisionit të reformave. Në kohën e revolucionit të Kosovës (1910) bashkë me Bajram Currin mori pjesë në qëndresen e shqiptarve kundër qeverisë turke. Në të njëjtën kohë mori pjesë në cdo levizje e qëndresë kundër sllavëve si dhe në luftimet e Princit Wied në Durrës.

Sali Mani Bunjaj, është pjestar i një familje të njohur dhe të pasur. Ka qënë dhe është kurdoherë një ndjekës i Bajram Currit.

Hasan Bey Prishtina, është një nga njerëzit më të përmendur, nacionalist dhe me influencë në të gjitha zonat verilindore që janë shqipfolëse. Ishte minister në qeverisjen e princit Wied.

Delegacioni në shoqerinë e gjeneralit Trollmann vizitoj shumë objekte të artit, të kulturës e të historisë së perandorisë. Viziten e parë e bëri tek Dhoma e Thesarit të perandorisë prej ku më pas në Museun e Artit ku patën rastin të njihen e të kundrojnë nga afër armët dhe perkrenaren e heroit tonë kombëtare Gjergj Kastrioti që ndodhet në dhomën e koleksionit të armëve. Një vizitë tjetër e rëndësishme ishte edhe nëkatakombet e kishës së Kapucineve ku ndodhen varrezat e pjestarëve të familjes perandorake dhe sarkofagu i Kaiserit Franz Josef, i cili kishte pak muaj që kishte vdekur (21 nentore 1916). Këtu u vendos një kurorë me lule dhe u mbajtën fjalime falenderuese, nga Gjergj Pekmezi dhe Hasan Prishtina,në nderim të perandorit të vdekur. Ditët e tjera, u mundësuan vizita në Museum ushtarak, Katedralen madhështore të Shën Stefanit në qendër të qytetit, e më pas u bë edhe audienza ku delegacioni ynë u prit nga Perandori Karl dhe Perandoresha për rreth 45 minuta. Në emër të shqiptarve zotëri Xhelal Toptani i dhuroj princeshës së vogel tre vjecare, një fustan të qendisur me fije ari, punë dore e nënave shqiptare. Nga takimi me perandorin, shqiptarët të hypur ndër 10 makina ushtarake, vizituan bashkinë e Vjenës ku u pritën me nderime nga kryetari Dr. Weiskirchner.

Sipas programit te vizitës, delegacioni shijoj dhe bukurinë e “vallëzimit të kuajve të racës” në shkollën spanjole të kuajve të oborrit perandorak, më pas u njoh me koleksionet e pashëmbullta e unikale të muzeut të natyrës, të cilin perandori e kishte ndertuar për të kënaqur ndjesitë e tija dhepër ti treguar botës fuqinë dhe pasurinë e perandorisë.
Gjëja me interesante në ditën e tretë të ardhjes, ishte shkuarja e grupit në operan e famëshme të Vjenës ku atë natë luhej “FIDELIO”. Për shumë pjestarë të delegacionit kjo ishte një risi që nuk kishin pasur mundësi më perpara ta shijonin.

Me 20 prill, shqiptarët u priten në ministrinë e mbrojtjes (të luftës) ku kembyen me ministrin falenderime e lavde reciproke e më pas delegacioni vizitoj kështjellën e Schönbrunnit me bukuritë e saj që e rrethojnë. Në orët e vona të natës një pjesë e delegacionit ishte parashikuar të largohej nga Vjena në drejtim të atdheut e për to u organizua nga autoritetet një festë percjellje.
Në programin javor ishte edhe një takim me femijët shqiptarë të cilët shkolloheshin në Vjenë e qëjetonin në një konvikt të vecantë vetëm për to, në Krottenthalergasse.
Ajo që bëri pershtypje në festen madhështore të lamtumirës ishte fjala që mbajti komandanti i forcave austriake në Shqipëri, gjenerali Trollmann i cili pershëndeti fisnikët shqiptar për ndihmën e madhe të dhënë për organizimin e ndihmave, të ushtrisë e vullnetarve. Në fund të fjalës së tij ai thirri në gjuhën shqipe: RROFTE SHQIPNIA…

Mbrapa e mori fjalën Imzot NIKOLLE KACORRI, i cili tha që shqiptarët ishin më se të kënaqur për pritjen e bërë në këtë qytet të mrekullueshëm për nga bukuria e kultura. Në emër të gjithë të deleguarve ai falenderoj për pritjen e ngrohtë që u bëri atyre PERANDORI dhe autoritetet e tjera të shtetit e të qytetit. Në fund Imzot Kacorri me fjalë të ngrohta falenderoj dhe i dëshëroj gjithë të mirat gjeneralit Trollmann për simpatinë që ai ushqente për popullit shqiptar, urim që u brohorit nga të gjithë të pranishmit pjestarë të delegacionit. Delegacioni shqiptar u nis për në atdhe me 23 prill 1917.
Shenim: Imzot Kacorri vdiq pas afro nje muaji ne Wien (29 maj 1917)…/KultPlus.com

Komentet

komentet