
Beshir Sufa - figura e shquar e familjes Ndreu
Naim Plaku
Beshir Sufa (Ndreu) ishte djali i madh i patriotit të shquar, trimit legjendar të Dibrës, Sufë Xhelilit, heroit të luftërave të popullit tonë për liri e pavarësi. I përkiste fisit të Ndreve, njërës prej familjeve më të mëdha e më të nderuara të vendit , por, njëkohësisht, nga më të nëpërkëmburat, më të përgjakurat e më të përsekutuarat nga regjimi komunist. Ishte një degë e atij trugu të lisit vigan që buloj e u rrit krenar e madhështor, aty, anës së djathtë të luginës së Drinit të Zi, në lëndinat e gjelbëruara të Lisivalles, aty ku lumi merr vrapin për të hyrë në Lumë. Ishte një degë e shëndetshme e atij lisi shpatullgjërë nën hijen e të cilit nënat malësore mëkuan e përkundën djepet e trimave Xhelil e Elez Isufi, Isuf e Dik Xhelili, Beshir e Dali Sufa, Cen, Mersim e Medi Elezin, Xhetan e Esat Elezin (Ndreun), 16 djemtë e Cen Elezit, shqiponjat e maleve tona që u përvëluan nën kthetrat e komunizmit, të gjithë luftëtarë të nderuar, shkrimtarë e artistë të talentuar, pinjollë të shquar të kësaj dere të madhe e të ndritur që historia i mban në gjirin e saj duke e bërë të pavdekshme.
Kur vdes ndonjë burrë me emër në Dibër e shkojnë për ngushëllim, ata që nuk e njohin mirë familjen, pyesin: -More, a ka lënë konak e derë? A ka lënë ndonjë djalë?
Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje të mençur e të vlerësuar drejt.
Kështu pyetnin larg e larg atë ditë dhjetori ku mbeti i vrarë Sufë Xhelili dhe u plagos për vdekje tradhtisht Elez Isufi nga forcat e reaksionit. Dhe dashamirët gëzoheshin e u vinte mirë, kur i jepnin dorën e përshëndosheshin në derën e kullës me një djalë të bëshëm e fisnik, qimekuq, me ata sy të kaltër që depërtonin deri në thellësitë e shpirtit njerëzor, tamam si i ati, që sapo ishte mbuluar me dheun e tokës-nënë, pranë atij burri të cilit kishte qëndruar qysh 15 vjeç kur u bë djalë për pushkë, kishte marrë pjesë në dhjetëra beteja, kishte vrarë me dorën e tij serbët pushtues të vatanit, kishte lëshuar, si i ati, atë piskamën tronditëse e frymëzuese “a besë-a besë”, që ngrinte në këmbë malet dhe mbushte burimet me gjakun e pastër të lirisë. Në betejën vendimtare të Lanë-Lurës në tetor të vitit 1921, në rrethana tepër të vështira e delikate për kombin, Beshiri qëndroi natë e ditë në krahë të babait të tij të nderuar duke luftuar me guxim të pashoq dhe në kushte tepër të vështira e duke u rënë kryq e tërthor maleve të Runjës për t’u siguruar nga ndonjë ndërhyrje e mundshme e forcave tradhtare.
Dhe djali i ri krenohej e madhohej kur burrnia më e zgjedhur dibrane e ngushëllonte:
-Mos u mërzit, o Beshir Sufa! Të na rrojsh me gjithë vllazni! Të pastë Dibra!
Beshir Sufa nuk i la gjë mangët të atit për nga karakteri, trimëria e bujaria. Figura e tij po vinte gjithmonë duke u rritur në situata të tjera e kohë të reja. Qysh në vitet ’30, kur vëllai i tij më i vogël, Dali Ndreu, u përfshi në qëndresën antizogiste dhe më vonë në lëvizjen Çlirimtare pas pushtimit fashist të vendit, ai u bë një ndër veprimtarët më të shquar të kësaj lëvizjeje mbarëpopullore. Shtëpia e tij në Sllovë u bë qendra e mobilizimit të forcave ngadhënjimtare kundër fashizmit italian dhe, më vonë, atij të pushtimit nazist gjerman, djepi i lëvizjes Çlirimtare për tërë krahinën. Me autoritetin dhe vlerat njerëzore që trashëgonte, me besimin që kishin dibranët te fjala e tij e, sidomos, për besën shqiptare që nuk e tradhtoi kurrë, ai gëzonte një respekt dhe përkrahje të gjithanshme duke grumbulluar rreth kësaj lëvizjeje djemtë më të mirë e më të vendosur. Beshiri që në fillim të Lëvizjes vihet në krye të forcave vullnetare çlirimtare për tërë krahinën. Aq trim sa ishte, po aq i dashur dhe i dhimbshëm ishte për tërë banorët cep më cep Dibrës. Janë të panumërt ata që sot e asaj dite i mbajnë mend shumë mirë bamirësitë e tij për t’i shpëtuar nga vala e egër e komunizmit, që shpesh herë shpërthente duke rrëmbyer në vorbullat e saj djem të pafajshëm, vetëm për të ngopur ujqërit e kuq me gjak të kulluar shqiptari. Sa e sa shtëpi nuk i dogji kjo flakë përvëluese, vetëm sepse kishte hyrë në mes Beshir Sufa, që i thoshin ndryshe dhe “besa e dibranit mustaqekuq”. Forcat vullnetare të komanduara prej tij me një disiplinë e ndërgjegje të lartë ndihmuan në zgjidhjen e shumë problemeve që kishte populli në ata vite të sapodala nga lufta, sidomos në shpërndarjen e furnizimeve që vinin nga Front i Lindjes, në emergjencat civile dhe në ndihmat që u shpërndaheshin familjeve në nevojë. Beshiri ishte njeri i veprimit. Fjalët e tij ishin të pakta, por zinin vend si guri i rëndë në themelet e kullave. Ishte njeri i punës, sepse veten e tij s’e quajti kurrë komandant, por një shërbyes për ta ndihmuar këdo e kurdo. Kështu e ka njohur Dibra Beshir Sufën dhe i tillë mbeti tërë jetën.
Ashtu si shumë shërbime të tjera, ashtu si shumë patriotë të nderuar dhe me vlera të mëdha njerëzore u harruan shpejt, u mohuan dhe u përbuzën nga një hakmarrje çmendurie për të joshur tekat e elitës që po vinte në pushtet pas gjithë atij gjaku të derdhur. Ndoshta, familja Ndreu është ndër më të goditurat e më të përgjakurat nga diktatura komuniste në tërë Shqipërinë, për të cilën mendoj që është me vlerë për kohën që ajo të njihet më gjerë dhe për atë të shkruhet më gjatë. Kështu e pësoi dhe trungu i familjes së Sufë Xhelilit. Në vitin 1947, fill pas mbarimit të Luftës, për të kënaqur oreksin e Beogradit burgoset Beshir Sufa, ish-komandant i forcave vullnetare në Dibër, djali i trimit Sufë Xhelili, që kishte luftuar një dekadë të tërë me shovinistët sërb së bashku me djemtë e tij. Lirohet për pak kohë dhe në vitin 1956 ndodh gjëma e madhe për tërë familjen e tij dhe për tërë familjen e madhe të Ndreut në përgjithësi. Vëllai i tij Dali Ndreu, një ndër gjeneralët e parë shqiptarë dhe udhëheqësi kryesor i LuftësÇlirimtare, arrestohet me të shoqen e tij një ditë vere tek po pushonin të shkujdesur në baçet e Beshirit në Sllovë i rrethuar nga disa vizitorë të farefisit të tij. Arreëstimi i tij u bë me bujë të madhe dhe nuk kaluan veç pak ditë dhe vala e dëbim-internimit mori me vete familje të tëra nga fisi Ndreu. Familja e Beshirit dhe e vëllezërve të tij, si edhe ajo e Xhetan Ndreut e të tjera u internuan në Shtyllas të Fierit ku do të qëndronin deri në vitin ’90 duke punuar si argatë në arat e krypura e moçalishtet plot mushkonja të kënetave të Myzeqesë. Këtu e kaloi gjysmën e jetës së tij edhe Beshir Sufa deri sa vdiq larg vatrës së tij të dashur e të nderuar në vitin 1989, në moshën 94-vjeçare ky burrë trim dhe i mençur, luftëtar i provuar në zjarret e luftrave për liri, një plak i hijshëm e fisnik, me një çehre që të impononte përherë respekt e dashuri, shtatdrejtë si lisi i kreshtës, me një humor të këndshëm.
Ai që e kishte kaluar jetën në luftë, me pushkë krahut e kollanin e fishekëve brezit, aty, në lëmishtet e Shtyllasit e shihje çdo ditë në mëngjes me shatë e drapër në dorë, në mes të arave duke derdhur djersën e ballit, pa iu ankuar askujt, gjithmonë i freskët dhe tërë shpresë e optimizëm për jetën, gjithmonë i qeshur dhe i dashur me këdo.
Mbrëmjeve dhe në kohë pushimi Beshiri ishte gjithmonë i rrethuar nga miqtë e shokët e shumtë që kishte. Qazim Bllaca, Astrit Delvina, Osman Kazazi, Drita Kosturi, Xhafer Vokshi, Sami Hysi, Faik Selenica e plot të tjerë ishin miqtë e tij të shumtë që e rrethoninn përherë me dashuri e përkujdesje dhe e çmonin për vlerat që kishte. Ëndërronte që të kthehej një ditë në Sllovë, aty, tek shtëpia dhe pronat e tij, aty ku kishte lënë rininë e tij dhe një pjesë të madhe të zemrës së plagosur, të shikonte për të fundit herë vendet nga kishte shëtitur e kishte luftuar, të dëgjonte këngën e fundit të atij bilbilit të dikurshëm që vinte nën pullazin e shtëpisë së tij, dhe, mes luleve të qershisë, sa zbardhte agimi, ia niste asaj melodie që vetëm ai di të këndojë. Mjerisht, ëndrra e tij u pre një ditë vere pa perenduar ylli i komunizmit dhe pa lindur akoma drita e demokracisë dhe ndrroj jetë i përvëluar e i djegur nga malli për vendlindjen e tij. Qëndrimi i tij në internim është një kapitull tjetër interesant i jetës së këtij burri, që flet e na mëson për qëndresën madhore të njeriut përballë vështirësive njerëzore, është një faqe e ndritur e jetës së tij që e lartëson Beshir Sufë Xhelilin, po aq sa rinia e tij përkrah një babai me emër e zë, e ngre në piedestalin e trimave që edhe dinë të luftojnë, edhe dinë të qëndrojnë me nder në rrethana të jashtëzakonshme, edhe dinë të vdesin me qerpik të papërlotur kurrë. (INA)
Ahmeti - Zhernovski: Prioritet intergimi evroatlanik, M.O dhe marrëdhëniet ndëretnike
Sot në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, kryetari Ali Ahmeti, ka pritur kryetarin e Partisë Liberalo-Demokratike të Maqedonisë, Andrej Zhernovski.Ahmeti dhe Zhernovski konstatuan marrëdhëniet ...- Daçiq – Gruevski: Modeli Skandinav dhe Baltik për Ballkanin (14)
- Thaçi: Shqiptarët pas euforisë po përballen me mashtrimin e BDI-së (12)
- Menduh Thaçi ambasadorit Çejku: Ik, the qafën (Video) (10)
- Deputeti i Kosovës e quan Skënderbeun hero të katolikëve (10)
- Kosova anulon Samitin e Ohrit (8)
- BDI: Së bashku arritëm shumë (6)
Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj