Eksperti 22-vjeçar: Një tjetër sulm kibernetik, i pashmangshëm

Pas sulmit global kibernetik të së premtes, që infektoi më shumë se 125 mijë sisteme kompjuterike, ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar se një tjetër sulm masiv është i pashmangshëm.

Një studiues britanik i sigurisë, i identifikuar si “MalwareTech”, i cili ndihmoi në kufizimin e sulmit nga i ashtuquajturi “Ransomware”, parashikon se një tjetër sulm është në prag, ndoshta duke nisur nga e hëna e javës së ardhshme.

Virusi, që mori në dorë kontrollin e dosjeve të përdoruesve, u përhap në afro 100 vende, përfshi këtu Spanjën, Francën dhe Rusinë. Në Angli, 48 truste të Sistemit Kombëtar të Shëndetësisë ranë viktima të sulmit, sikurse edhe 13 të tjera në Skoci.

Disa spitale u detyruan të anulojnë procedurat dhe takimet, ndërkohë që ambulancat u drejtuan për nga spitalet fqinje, kompjuterat e të cilave nuk u prekën nga virusi.

Sekretari britanik i Brendshëm, Amber Rudd tha të shtunën se problemi është zgjidhur në pjesën më të madhe, por shtoi gjithashtu se “gjithnjë ka më shumë vend për të punuar” për t’u mbrojtur nga viruset kompjuterike.

Pasi shtinte në duar kontrollin e kompjuterave, virusi shfaqte një mesazh, ku kërkohej një pagesë prej 300 dollarësh e konvertuar në monedhën virtuale Bitcoin, për të zhbllokuar dosjet dhe për t’ua kthyer ato përdoruesve.

Analistë të BBC-së thonë se 3 llogari të lidhura me sulmin global sugjerojnë se piratët kompjuterikë janë paguar tashmë me ekuivalentin e shumës prej 22.080 paund.

“MalwareTech”, i cili kërkon të ruajë anonimatin, është lavdëruar si një “hero rastësor”, pasi arriti të regjistronte një domain për të ndjekur përhapjen e virusit, e që përfundoi me ndalimin e tij. 22-vjeçari tha për BBC-në se “është tejet e rëndësishme që njerëzit të riparojnë sistemet e tyre kompjuterike tani.

“Arritëm ta ndalnim këtë sulm, por do të ketë një tjetër të tillë së shpejti dhe nuk do të mund të ndalet më prej nesh. Janë hedhur shumë parà në këtë fushatë dhe nuk ka asnjë arsye për ata që të ndalen. Nuk do ndonjë përpjekje të veçantë nga ata që të ndryshojnë kodin dhe t’ia nisin nga e para sërish. Kështu që ka shumë gjasa që ata të veprojnë përsëri, ndoshta jo këtë fundjavë, por duke filluar nga mëngjesi i së hënës”, tha 22-vjeçari.

Të dielën, ai paralajmëroi se piratët kompjuterikë mund ta përmirësojnë virusin dhe të eliminojnë ndryshimin që ndihmoi në pengimin e përhapjes së mëtejshme të virusit. “Versioni fillestar i WannaCrypt ishte i ndalshëm, por nëse nxjerrin versionin 2.0, atëherë nuk do të mund të ndalet. Ju mund të jeni të sigurtë vetëm nëse riparonin sistemet sa më shpejt”, shkroi ai në Twitter.

 

 

 

 

Comments

comments