Emërimi i drejtorëve të rinj, në BDI e Aleancë po i fërkojnë duart, ja disa nga emrat

Pas formimit të qeverisë dhe kabinetit qeveritar radhën e kanë funksionerët e eshalonit të tretë. Në opinion qarkullojnë emra të ndryshëm në pozita të zëvendës ministrave apo drejtorëve në institucionet më të rëndësishme të shtetit.

Qeveria në seancën e ardhshme që jozyrtarisht mësohet të jetë nesër do të vazhdojë me emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve dhe drejtuesve të bordeve drejtuese të kompanive dhe institucioneve.

Në BDI edhe pse më parë ishte vendosur që të ndryshohen të gjithë drejtorët, Ahmeti tanimë është në mëdyshje dhe se synon që t’ia zgjas mandatin disa drejtorëve që shijuan pushtet edhe me VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër në LR-PDSH po kalkulohet ende me emra. Nga burime qeveritare mësohet se LR-PDSH nuk do ta marr as postën e Maqedonisë, pasi që këtë nuk e lëshon BDI, që e ka si pikësynim edhe Doganat e Maqedonisë. Në Drejtorinë e Doganave përmendet Bekim Neziri ose ndonjë kuadër tjetër nga dega e Çairit. Ndërsa Postat janë të rezervuara për degën e Sarajit, e ndër emrat më të lakuar është Blerim Bexheti. BDI do të ketë drejtorin e bordit të ELEM, ku në këtë detyrë përflitet Fatmir Limani.

Lidhur me disa emra dhe drejtori, portali TetovaSot para një muaji doli me disa emra.

Nga dega e Bërvenicës si emër i sigurtë flitet Muhamet Berzati si zëvendës sekretar i qeverisë ose i Parlamentit (varësisht se cili pozicion do ti takoje Aleancës). Udhëheqësi i departamentit për informim në LRPDSH, Flakron Bexheti, përflitet si zëdhënës i ardhshëm i qeverisë së Maqedonisë.

Gjithashtu rajonit të Kumanovës dhe Likovës do ti takojnë edhe disa pozita tjera si Adrian Demiri në Inspektoratin Sanitar dhe Higjienik dhe Mevludin Sinani në Inspektoratin e Punës. Samet Rramani nga dega e Gostivarit përflitet në krye të Drejtorisë së Fluturimeve Civile.

Pozita të rëndësishme priten të marin kuadro nga degët e Çairit, Zhelinës, Vrapçishtit, Tearcës dhe Haraçinës. Këto degë do të marrin pozita të sekretarëve shtetëror apo inspektorate, ku sipas burimeve tona, Çairi mund të përfaqësohet me sekretar shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes, nga Zhelina në postin e Drejtorisë kundër larjes së parave dhe antiterrorizëm flitet emri i Evzal Elmazit.

Saraji pritet të drejtojë me Hekurudhat, Dibra do të ketë sekretar shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa me agjencionin për zhvillimin e Bujqësisë pritet të udhëheq Rruzhdi Matoshi.

LRPDSH-së do ti takojnë edhe drejtoritë e disa klinikave në Shkup dhe rajon, si ajo e Tetovës, në Strugë dhe Manastir. Gjithashtu mësojmë se një pjesë e emrave që fliten, do të jenë adutet e Selës për zgjedhjet lokale. (INA)

Comments

comments