Ende asnjë sqarim rreth firmës TDS ”Kioski” fituese e tenderit për analizën...

Ende asnjë sqarim rreth firmës TDS ”Kioski” fituese e tenderit për analizën e Marrëveshjes së Ohrit (Video)

Edhe pse institucionet kompetente kanë bazë për të nisur hetim për mënyrën në të cilën firma tregtare “TDS Kioski” nga Tetova e fitoi tenderin për analizën e Marrëveshjes së Ohrit një gjë e tillë nuk ka ndodhur, përcjell INA.

Televizioni Alsat, tanimë, disa ditë me radhë ka kërkuar nga institucionet sqarime për parregullsitë në tender por thuajse të gjitha kanë heshtur ose kanë drejtuar gishtin tek sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkohë nga Komisioni kundër korrupsionit kanë kërkuar që t’i dorëzojmë dokumentacionin i cili dëshmon parregullsi.

”Nëse konsideroni se ka indicie për rastin konkret, dokumentacionin të cilin e posedoni dorëzojeni në Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit me qëllim që të mund të veprojmë – bëjnë me dije nga Komisioni për Antikorrupsion.

Televizioni Alsat deri te Komisioni për parandalimin e korrupsionit ka nisur 7 pika me të cilat mendon se ky institucion ka bazë që të fillojë procedurë hetimi.

1. Firma TDS “Kioski” është firmë tregtare dhe jo institucion relevant për analiza politike

2. Firma ka qenë i vetmi entitet pjesëmarrës në tender, duke mos krijuar mundësi zgjedhjeje (sipas Byrosë për Furnizime Publike)

3. Krijimi i nëndegës së saj të marketingut “Advertising”, me të cilën pretendohet se mund të bëhen analiza, është themeluar 11 ditë pas fitimit të tenderit (Sipas Regjistrit Qendror)

4. Kusht në tender ka qenë që firma të kishte eksperiencë në analiza, por deri tani nuk posedohet asnjë dëshmi për këtë (sipas Byrosë për Furnizime Publike)

5. Në dokumentin e tenderimit ka paqartësi; fillimisht flitet se analiza duhet të jetë gati për 30 ditë, e më poshtë për 60 ditë (sipas dokumentacionit pranë Byrosë për Furnizime Publike)

6. Në dokumentin tenderues, firma tregtare nuk ka treguar ekipin e saj të profesorëve që do të bënte analizën (sipas dokumentacionit pranë Byrosë për Furnizime Publike)

7. Firma duhet të organizonte 6 konferenca rajonale, një ndërkombëtare, një analizë të mendimit politik etj., nga të cilat asnjë nuk është organizuar, realizuar apo dëshmuar si e tillë (sipas dokumentacionit pranë Byrosë për Furnizime Publike)

Edhe udhëheqësi i dikasterit që ka porositur këtë analizë zv/kryeministri i ngarkuar për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, Festim Halili është i pakapshëm për tu përgjigjur pyetjeve tona. Dega e kompanisë që ka fituar këtë tender që kap shifrën e 90.000 eurove deri në afatin ligjor që është 21 janar është e obliguar të organizojë edhe një konferencë ndërkombëtare, 6 konferenca rajonale dhe të bëj hulumtim të mendimit publik në nivel kombëtar dhe strategji për afirmim të marrëveshjes.