Erdogan në Beograd: Dikush mund të xhelozojë për takimin Turqi-Serbi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka qëndruar sot në Beograd, në kuadër të një vizite zyrtare. Erdogan theksoi se ndihet i lumtur që viziton Serbinë në cilësi të presidentit, pasi herën e fundit e kishte vizituar atë shtatë vite më parë, në kohën kur ishte kryeministër. Dy presidentët diskutuan, ndër të tjera, edhe për paqen në Ballkan. Por, Kosovën nuk e përmendën asnjëherë, duke shmangur diskutimin për të.

Presidenti turk tha se ekziston vullnet reciprok për avancimin e marrëdhënieve bilaterale me Serbinë, duke e quajtur atë si shtet mik dhe shtet kyç për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Duke theksuar se kjo vizitë është dëshmi për rëndësinë që ia japin marrëdhënieve me Serbinë, Erdoğan tha se prania e 200 biznesmenëve turq, gjithsej 700 në sallë, është tregues i vullnetit për avancimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Ai tha se mund të ketë prej tyre që xhelozojnë këtë integrim apo takim të Serbisë dhe Turqisë.

“Le të ekzistojnë, por ne do ta shikojmë punën tonë. Do t’i vazhdojmë punimet tona mbi parimin fito-fito. Do t’i ndajmë përvojat dhe njohuritë tona dhe do ta rrisim solidarizimin. Besojmë se me Serbinë kemi vizion të përbashkët për të ardhmen e rajonit”, theksoi Erdogan.

Erdogan, në Forumin e Biznesit Serbi-Turqi, në Beograd, tha se Turqia dëshiron që Ballkani të përmendet me shpresë për një të ardhme të ndritshme me integrim, paqe dhe interesa të përbashkëta, duke shtuar se nuk dëshirojnë ndarje dhe copëtim për Ballkanin, përcjell AA.

“Ne nuk duam ndarje dhe copëtim në Ballkan. Po ashtu, dua të potencoj se jemi kundër që dikush t’i konsiderojë këto shtete si oborr i pasëm i tyre”, tha Erdogan.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se e ndjen Turqinë si mike.

“Ne jemi vend mik edhe popullit turk edhe i shtetit turk. Ashtu jemi sjellë, dhe do të vazhdojmë të sillemi”, porositi Vuçiq, pas takimit me Erdoganin.

“Në momentin e tentimit të puçit dhe grusht shtetit në Turqi, organet shtetërore të Republikës së Serbisë dënuan këtë tentim të formës më të lartë të veprimit terrorist dhe u vënë në anën e organeve të zgjedhura në mënyrë legale dhe legjitime të Turqisë dhe presidentit të saj Erdoğan”, shtoi Vuçiq.

Ai theksoi se Serbia nuk e bëri këtë sepse asaj i është dashur diçka, por sepse qytetarët vetëm me vullnetin e tyre kanë të drejtë dhe detyrë të zgjedhin të ardhmen e tyre, e jo me dhunë dhe me mbështetje të ndonjë faktori të huaj.

“Në Serbi asnjëherë nuk do të keni ata që do të bëjnë pakte me kundërshtarët e organeve të zgjedhura në mënyrë legale dhe demokratike në Turqi. Ne bashkëpunimin tonë e bazojmë në bashkëpunimin me ata që populli turk legalisht i ka zgjedhur”, tha Vuçiç, duke theksuar se Serbia nuk ka kurrfarë bashkëpunimi as me ithtarët e Gylenit, as me këdo tjetër. Serbia, siç tha, në këtë aspekt ka marrëdhënie të pastërta dhe duar të pastërta në raportet.

Vuçiçi falënderoi Erdoganin për faktin se investitorët turq kanë investuar në vende të vogla në Serbi.

Vuçiç shprehu kënaqësi për shkak të nënshkrimit të marrëveshjeve mes Serbisë dhe Turqisë, duke shtuar se shpreson që të dy vendet në të ardhmen do të kenë marrëdhënie edhe më të mira.

“Nënshkruam 12 marrëveshje, ndonëse pritëm 10, dakorduam edhe dy dhe nënshkruam 12 marrëveshje. Nesër në Novi Pazar do të nënshkruajmë edhe katër. Bëhet fjalë për marrëveshje shumë konkrete të rëndësishme për Republikën e Serbisë”, theksoi Vuçiç.

 

Comments

comments