Erdogan në Serbi pritet si Putin. Ja mesazhi që përcolli

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka mbërritur mbrëmë në Beograd nën masa të rrepta sigurie.

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Emine dhe një grup prej 185 biznesmenësh, Erdogan, i ka bërë të qartë Serbisë se nëse kërkon marrëdhënie të mira me Turqinë, duhet të luajë një rol prominent për paqen në rajon.

“Turqia dhe Serbia janë dy vende kyçe në Ballkan. Ashtu si Turqia e shfrytëzon pozitën e saj gjeografike për paqen dhe stabilitetin, duhet që edhe Serbia e cila ka një strukturë multi-etnike, multikulturore dhe dinamike, të hapë rrugën e paqes për rajonin“, tha Erdogan në një intervistë për gazetën “Politika”.

E përditshmja më e madhe serbe Blic thekson se ndërsa 50 truproja e ruajnë presidentin turk, gjysma e Beogradit është paralizuar totalisht për kalimin e qytetarëve si pasojë e masave të rrepta të sigurisë.

“Blic” thekson se janë të njëjtat masa sigurie që janë marrë kur Serbinë e ka vizituar Vladimir Putin dhe ish-zv.presidenti i SHBA-së, Joseph Biden.

Presidenti i Turqisë është pritur në një ceremoni mjaft pompoze në aeroportin “Nikolla Tesla”, ku u prit nga homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç.

Erdogan e bëri të qartë se mes dy vendeve ka dallime të qarta, por që këto dallime nuk duhet të ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve.

“Ne nuk i shohim dallimeti pengesa për bashkëpunim. Në përputhje me synimet tona të përbashkëta, ne po përpiqemi të vazhdojmë marrëdhëniet tona dypalëshe nëpërmjet një qasje konstruktive dhe një dialogu të sinqertë”, deklaroi Erdogan për  të përditshmen “Politika”.

Presidenti turk ka bërë të ditur se vendi i tij synon ta rrisë rolin në Ballkan me investime dhe shtimin e volumit të tregtisë në këtë anë të Europës.

Turqia me kujdes dhe me interes ndjek reformat ekonomike që Serbia ka zbatuar me sukses në vitet e fundit. Ne jemi duke punuar, aq sa mundemi, të japim mbështetje për miqtë tanë serbë në iniciativën e tyre të zhvillimit ekonomik”, tha Erdogan.

Heqja e vizave pritet të jetë marrëveshja e parë që do të nënshkruhet mes dy vendeve duke e kompletuar kështu të gjithë hartën e vendeve të Ballkanit që lëvizin pa viza me Turqinë.

Deri tani vetëm shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë, Maqedonisë dhe Bosnjës shkojnë në Turqi pa viza.

Por lajmi më i madh për vizitën e Erdogan në Beograd është instalimi i gjigandit turk “Halkabanke” në Serbi. Ky institucion financiar ka degë të saj në Kroaci dhe Slloveni.

Turqia ka investime të rëndësishme në Serbi dhe si pasojë e këtyre sipërmarrjeve rreth 8 mijë persona janë të punësuar në to.

Por Erdogan deklaroi se kjo shifër do të dyfishohet së shpejti.

Vëllimi i tregtisë ndërmjet Turqisë dhe Serbisë ka arritur në nivelin e 790 milion eurove, ndërkohë që presidenti turk i premtoi homologut të tij serb Vuçiç se kjo shfër do të arrijë 1 miliardë euro.

Por Erdogan ka vënë theksin në kujdesin e veçantë që ka Ankaraja duhet të ketë për qytetarët muslimanë të Sanxhakut. Dhe Beogradi në mënyrë të zgjuar ka kërkuar zyrtarisht që Ankaraja të kanalizojë investimet e saj pikërisht për të ndihmuar boshnjakët e Krajinës me qendër Novi Pazarin.

“Rajoni i Sanxhakut është një urë tjetër e miqësisë mes dy vendeve. Fakti që qeveria serbe inkurajon Turqinë për të investuar në Sanxhak është e lavdërueshme. Kjo qasje e administratës serbe është e rëndësishme, si për bashkëpunimin tonë dypalësh dhe për të ardhmen e rajonit tonë”, tha Erdogan për Politika.

Comments

comments