Esad Mekuli, poeti dhe biri besnik i popullit te vet

Esad Mekuli, poeti dhe biri besnik i popullit te vet

Nga prof.dr.Vebi Bexheti/

(Nga Referati,mbajtur më 18.12.2016, me rastin e manifestimit të 100 vjetorit të lindjes së Esad Mekulit,organizuar nga Klubi letrar OENEUM i Tetovës)

Bardi i poezisë shqipe në Kosovë, siç është bërë traditë të thuhet për këtë krijues, mësuesi i poetëve që erdhën pas tij, poeti që i këndoi këtij populli edhe kur i ishte e ndaluar, njeriu që një jetë punoi pë te dhe fatin që e përcolli gjatë historisë, Esad Mekuli, në letërsinë shqipe paraqet grup në vete krijuese. Ky zë pak sa i vetmuar, meqë nuk krijon si pjesë e ndonjë plejade shkrimtarësh në kohë e hapësirë të caktuar, edhe pse mund të themi se i takon gjeneratës së viteve të 30-ta, mbeti specifik edhe sot. Ky poet që u shkollua në gjuhë të huaj dhe një pjesë të jetës e kaloi në mjedise joshqiptare, veproi dhe krijoi në krahun e këndejshëm të shtetit shqiptar, poezinë e ndërtoi mbi fatin e shqiptarit kosovar, mbi vuajtjet, dhemjen, sakrificën, luftën për mbijetesë, e herë-herë mbi gëzimin, dashurinë e lumturinë e përkohshme, varësisht nga momentet historike, ku nuk munguan edhe periudha të një lirie të kufizuar. Edhe pse i shkolluar në gjuhë të huaj, siç ishte edhe Beogradi e Zagrebi, pasi e kishte mbaruar shkollën e mesme në Pejë, po në gjuhën serbo-kroate ,ai asnjëherë në poezinë e vet nuk doli jashta kornizave të kombëtares,madje ,edhe kur shkruante në gjuhë të huaj. Si student në Beogradin e para Luftës së Dytë Botërore, ai e përjetoi keq jetën e vështirë të kurbetqarëve shqiptarë, punën e rëndë fizike prej sharraxhiu e hamalli. Ishin të mjaftueshëm këto personazhë, bashkëkombës të tij, për t’u bërë heronjtë e poemës ,,Kush i pari bani”.Këta hallexhinj për poetin e ri që sapo kishte nisur ta shkruajë poezinë, ishin njëherit edhe nxitje e frymëzim për ta krijuar poezinë sociale, të ngjashme me atë të Migjenit, me dallimin se heronjtë e Beogradit ishin shqiptarët punëtorë krahu,nga të cilët atje, ‘’pas 77 bjeshkëve 7 gojë presin.

Esad Mekuli, edhe pse krijimtarinë letrare e filloi në vitet e 30-ta, kur ishin afirmuar poetët si Lasgushi, Migjeni,apo edhe ndonjë tjetër,nuk e kemi të njohur nëse e njihte apo jo këtë letërsi. Poezia e tij, tërësisht origjinale, ndoqi një rrugë tjetërfare, atë që e imponuan rrethanat historike e politike pas asaj lufte, kur edhe mëtutje Kosova mbeti jashta Shqipërisë shtetërore,me gjithë shpresën për një ribashkim, ga ndarja e Londrës e vitit 1913, meqë në të ashtuquajturën,LNC.,krahas popujve tjerë të Jugosllavisë,luftuan edhe shqiptarët. Këto ishin momentet e ndarjes së madhe, ndarje kjo që sërish i detyroi shqiptarët e dy krahëve të kufirit të jetojnë e të krijojnë ndaras. Kjo ndarje në letërsi dhe zhvillimet e saj nën trysninë e dy lloj ideologjish komuniste, të dy shteteve, i kushtoi shumë letërsisë shqipe. Edhe poezia e Esad Mekulit,nuk e pati lehtë të mbijetojë nën trysninë e ideologjisë ,nga njëra anë dhe shtypjes sistematike nga regjimi sllav. Kjo poezi që e lidhi hallkën e shkëputjes nga kontinuiteti i zhvillimit historik të letërsisë shqipe, u zhvillua bashkë me fatin e vuajtjet e bashkëkombasve të tij, dhe ndonjëherë, edhe me iluzionet për barazi me të tjerët, si rezultat i disa të drejtave në kulturë e arsim, që nuk ishin edhe të pakta, krahasuar me ato të Mbretërisë jugosllave. Esadi i ndejti besnik vetëm popullit të vet,e assesi regjimit të pushteteve të Jugosllavisë së atëhershme.Ky poet i qëndresës dhe krenarisë së popullit të vet, në poezinë që i imponohej kjo temë trajtimi, i theksoi problemet e natyrave shoqërore,impulset, jehonën e tyre dhe karakteristikat më të dalluara të epokës,apo më drejt të pesë dekadave të fundit.(shih te E.Mekuli,Poezi,Prishtinë 2006,parathënia nga H.Mekuli,f 314) Këtë përkushtim të poetit për rrugën jetësore të baskëkombasve, bashkë me vuajtjet, madje edhe për ta mbrojtur dinjitetin e tij njerëzor e kombëtar,në momente kur nga qarqe të ndryshme, shqiptari ofendohej në mënyrat më të vrazhda, e ndonjëherë duke e quajtur edhe njeri me bisht prapa,e hasim që në fillimet e shkrimeve të tij poetike, të para Luftës së Dytë Botërore: Po të shof prap- me duer të mërdhime nën sjetull,/me sharrën e stërlashtë mbi krah dhe sopatën e mprehtë të rrasun në shokë(…bishti i saj ka dalë mbrapa setrës dhe duket…Vallë,mos për këtë na quejtën,,njerëz me bishta’’?!) Në vargun e tij poetik zë vend edhe zhgënjimi i poetit, për gjoja lirinë e plotë që solli e ashtuquajtura LNC, pjesë e së cilës ishin edhe shumë shqiptarë,të bindur se liria do vijë për të gjithë. Djetë vite pas mbarimit të asaj lufte, në poezinë Dhjetë pranvera lirie ,autori është i sinqertë kur beson se ajo liri është rezultat i asaj lufte të vështirë dhe i vuajtjeve të idealistëve nëpër burgjet fashiste: Dhjetë pranvera lirie!/-A të kujtohet: sa kemi andrrue për te/në ditët e kryengritjes-/të ndjekun nëpër hapsane!…Kjo liri që shqiptarëve ua hapi rrugën e shkollimit e dies në gjuhën amtare,herë- herë kufizohej e ndërpritej, varësisht vullnetit të atij pushteti që edhe ua kishte lejuar. Me gjithë këto ndryshime me aromë lirie edhe për shqiptarët, qarqet shoviniste serbe, edhe pse kohë pas kohe jo të zhurmëshëm, nuk pushuan asnjëherë. Esad Mekuli në cdo moment ishte me popullin, edhe atëherë kur i gëzohej lirisë, edhe atëherë kur kjo liri dukej sipërfaqsore ,edhe atëherë kur shuhej fare dhe rrezikohej së bashku me qenien e kombit. Ky poet dhe bir besnik i popullit ,në kronikën e vet poetike me këtë temë,depërtonte edhe atje ku e kishte të ndaluar, ai nuk heshtte edhe atëherë kur u ngritën lugetërit dhe fantazmat e zeza që e donin tjetërsimin dhe shfarosjen me shpërngulje të shqiptarëve për në Turqi, që bashkë me emrin ,, turk’’,të tretën në tokat e Anadollit. Këtë shpërngulje që herë-herë ndodhte edhe heshturazi, vargu poetik i Mekulit e ngriti në fenomenin më tragjik që u kishte ndodhur ndonjëherë shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të rajoneve të tjera të hapësirave jugosllave. Sa e dhimshme duket lutja e nënës, drejtuar djemve që mos ta lëshojnë tokën e Kosovës, për t’u nisur rrugës së pakthim për në shkretirat e Anadollit:

Për ke në dritë ju qita,/o djem!/Për ke ju rrita,/o bij’?/Pse u gëzova unë në jetë?/-Nanën po e leni sot/kur kryet/me mburrje për ju e ngrita;…Në dheun e huaj po shkoni?/… atje ku vesh s’ju marrin/…ku dheu i zi/randë t’ju peshoi mbi rrashta/pa etnit tuaj për bri!

Kjo propagandë dhe dhunë e formave të ndryshme për spastrime etnike, përfshiu edhe një pjesë të intelektualëve, që gjithashtu morën rrugën e pakthim, atë të asimilimit të sigurtë. Poezia e shkurtër me titull Dhimbje, me ato pak vargje prekëse rrëfen një histori që dhemb edhe sot. Sipas poetit, poezia i kushtohet mësuesit Jusuf Jusufit nga Tetova, i cili i la nxënësit dhe u shpërngul në Turqi. E tërë kjo histori me aq dhembje përfshihet në të vetmen fjali,,shpërngulë në Turqi’’,e shënuar në një fletë, që bashkë me revistën,,Jeta e re’’u kthye në redaksi. Kjo listë e zezë e përmortshme për poetin, ishte më e rëndë se një nekrolog, ndërsa largimi i një mësuesi që i la nxënësit jetimë, nuk ishte më pak se një tradhëti:

Pandeh-/si mësojtore,/o mësues,/të cilën e ke tradhtue!

Fenomenit të shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, si projekte më famëkeqe i paraprinë propagandat ndër më të ndryshmet, nga ato të mashtrimeve se shqiptarët e besimit islam në Turqi do jetojnë më mirë dhe do jenë më të sigurtë, e deri te kurdisjet e natyrave nga më të ndryshmet ,sic ishte edhe aksioni i mbledhjes së armëve, kur edhe u shtua dhuna fizike,deri te likuidimet masive. Kjo dhunë e paparë nga organet policore, e po atij shteti që deklarohej si shoqëri e ,,Vllaznim-bashkimit’’,e që Mekuli i kushtoi gjithashtu poezi, por në periudha më të zbutura,sidomos pas rënies apo dobësimit të dhunës së Organeve policore të sigurimit shtetëror,theksohet në poezinë I varuni i këndon lirisë. Ky shqiptar që e var veten duke mos e duruar dhunën për dorëzimin e armës që s’e kishte, është personazhi fatkeq ,dëshmitar për këto vuajtje dhe mjerimin që kurrë nuk iu ndanë bashkëkombasve të poetit:

A asht kjo,o v’lla,ahmarrja jote e vetme,e trueme,/për vuajtjet tona-mjerimin që kurrs’na u nda.

Pëmes poezisë Je turk elhamdulila, poeti, me gjuhë të mprehtë poetike i qaset një realiteti të hidhur të tendencës së pushteteve të huaja,me histori që nga koha e Perandorisë Osmane, për asimilim të plotë,gjithsesi duke e keqpërdorur edhe fenë, që mëpastaj ky proces tjetërsimi të kryhet më lehtë. Kjo propagandë antishqiptare që lëshoi rrënjë të thella, sa që edhe sot vështirë se po crrënjoset, e shpifi tezën më antinjerëzore e kombëtare, se ai që nuk fliste turqisht,nuk mund të kishte fe, e as që besonte ne Zot. E gjithë kjo urrejtje për shqiptarët, bashkë me dëshirën që një ditë t’i lënë shkretë tokat e veta, që më vonë të popullohen me kolonë serbë, e kishte edhe historinë e vet, që bazohej në armiqësinë tradicionale të pushteteve sllave, që për këto qëllime e shfrytëzuan edhe mentalitetin e deformimit të besimit të drejt fetar islam të shqiptarëve,të trashëguar që nga sundimi aq i gjatë perandorak, që të parët e kishin hedhur tezën se të jesh me besim islam dhe të jetosh në hapësirat e kësaj perandorie me doemos duhet të jesh turk:

Poeti ynë i përjetonte keq këto politika antishqiptare, që vazhdimisht e goditnin dinjitetin e këti populli që e donte lirine dhe barazinë. Kjo urrejtje nuk u zbeh as edhe në periudha të asaj lirie të brishtë , që vazhdimisht e gërryente plagën përjashtuese të shqiptarit, madje duke e thirr me emra të huaj ,si:

arnaut,turk,apo edhe nëncmues e tallës,si,shifter,shipci etj.: Kur thue-shiftar/më vjen/rëndë-ftyrës flaka i bjen.

Poeti edhe në këtë atmosferë të kontaminuar me antishqiptarizëm, ka prirje dhe dëshirë për zgjidhje fatlume, sepse ende beson se liria duhet të vlejë edhe për shqiptarët, ai mburret me kombin që i takon,me dëshirën e tij për një të ardhme të lumtur, me gjakun e tij të pastër: Shqiptar jam- ta dijsh!dhe i njejti rod/me mbarë shqiptarët-jemi gjak shqiptari.

/Nën krahët e lirisë e të vllaznimit sod/t’ardhmen tonë ndërtojmë me duer ndërtimtari.

Esad Mekuli, edhe pse asnjëherë nuk kishte pranuar të jetë pjesë e udhëheqjes politike, jetonte brenda asaj politike, sepse ai në vazhdimësi e përcillte fatin e popullit të vet,si viktimë e atyre politikave,që gjithmonë gatuheshin në kuzhinat e Beogradit. Politika lokale e Prishtinës, që krijohej edhe nga shqiptarë, ishte e pa fuqishme në kushtet e një qendre të një Krahine me të drejta shumë të kufizuara, sidomos të periudhës para Kushtetutës së vitit 1974,kur Krahina e atëhershme autonome e Kosovës,u bë pjesë kushtetuese e Jugosllavisë. Ashtu si shumë poezi, disa nga të cilat i përmendëm,e që temë trajtimi kishin përpjekjet për mbijetesë të shqiptarëve, edhe poezia Si në shtëpinë e vet ,që i takon po asaj periudhe të shkallës se lartë të sundimit serb në Kosovë, por jo edhe të nënshtrimit ,autori shpreh revoltën kundër politikanëne të lartë komunistë jugosllavë ,që shpesh e vizitonin Kosovën.

Një vizitë e këtillë ishte edhe ajo e funksionerit të lartë të Beogradit,Marko Nikeziq,i cili i ,,siguroi’’ shqiptarët kosovarë se në këtë vend duhet të ndihen si në shtëpinë e vet. Poetin ,si dhe të gjithë shqiptarët i lëndoi togfjalëshi ,,si në shtëpinë e vet’’.

Ky fjalim,në kohën kur shqiptarët ishin të bindur se jetojnë në shtëpinë e vet,madje Kosovën e kishin shtëpi,prej kur ekzistonin në këto troje, sipas autorit, i ringjallte sërish përbindshat për të vjellë helm e vrer ,prandaj ai duke mos e duruar këtë ,,përkujdesje’’, e mbyll pozinë me këto vargje:

Të huaj- kurrë më!Në shtëpinë tonë jem’ prore,/në vendin e pëebashkët,në vatrën vëllazërore!

Kjo prirje e tij për të shikuar vetëm nga e ardhmja që do të sjellë liri për të gjithë,është edhe një dëshmi se poeti tërë talentin e pasur dhe energjinë krijuese që e kishte, i vuri në shërbim të vlimeve progressive të kohës dhe synimeve liridashëse të popullit në të gjitha fazat e luftës së tij të theksuar apo të heshtur,duke e lidhur veten tërësisht me perspektivat e hapura liridashëse të përgjithshme

(E.Mekuli,poezi,Prishtinë 2006,parathënia nga H.Mekuli,f.318)