Eshtrat e gazetarëve në kullën e makiavelizmit !

Sa ia vlenë që gazetarë e mendmitarë të ndryshëm të përdorin eshtrat e tyre për të forcuar kullat e havarisura partiake? Ose kush jep garanci se makina e pamëshirshme e makiavelzmit nesër nuk do ti bluaj ato eshtra me të cilët do ti ushqente zogjtë e uritur të meskinitetit politik.

Politika ka nvojë për kompetentë nga brenda për ta menaxhuar, dhe për media nga jashtë për ta kritikuar. Nëse kompetentët mbesin jashtë politikës, ashtu siç po ndodhë aktualisht, kurse gazetarët futen në politikë, atëherë diçka nuk është në rregull. Është diçka që nuk funksionon.

Kosova ka shumë resurse humane të pashfrytëzuara, si brenda, ashtu edhe jashtë, në diasporë. Shumë të diplomuar që kanë studjuar në Zvicër, Gjermani, Holandë, Britani, Belgjikë, Austri, Amerikë, Kanada etj. do të duhej të jenë pjesë e zhvillimit ekonomik, social, kulturor e human të Kosovës. Ata sot mund ti gjesh nëpër kompani e institucione të rëndësishme të Perendimit, por jo edhe në Kosovë. Nga ata sigurisht që dikush është frikësuar. Janë frikësuar sidomos ata që konkurrencën e lirë e shohin si elimimim të vetvetes.

Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të përfshirjes së përfaqësuesve të medias nëpër parti politike. Do të ishte normale kjo dukuri sikur me kohë  ta kishim rregulluar raportin mes fjalës së lirë dhe veprimit politik. Do të ishte normale sikur partitë politike të ndienin nevojë nga brenda  për mungesë kuadrosh që dinë të kritikojnë apo të formojnë opinion publik. Nëse kritikën e huazon nga media dhe e kompenzon si mall i munguar në parti politike, atëherë shtrohet një pyetje fundamentale: Si t’iu besojmë kritikuesve të ardhshëm që vijnë nga fusha e media? A ndodhë që kritikuesit e sotëm, të bëhen nesër përfaqësues të ndonjë partie dhe kush e paguan çmimin për këtë më tepër: ata që kërkojnë në një shoqëri njerëz të paanshëm, kritikues të fenomeneve shoqërore, apo vetë partitë politike, të cilat sikur e humbasin autonominë e mendimit politik dhe bëhen zgjatime të pahetueshme të mendimit analitik të personave të ndryshëm publik.

Sikur të ishte kaq e thjeshtë dhe e lehtë kjo puna e përtëritjes kadrovike të partive politike (prurjeve të reja), atëherë që sot një repart i veçant i mediave do të hapte një ‘’ofiqinë’’ me mbishkrimin ‘’Përgatisim kuadro për parti politike’’, ndërkohë që logjika e prurjeve të reja në partitë politike do të transformohej në  filozofofinë e adaptimit të realiteteve mediatike në ato politike dhe gjithçka pastaj do të shihnin me syzat e shtrembëruara të një medie që peshën e fjalës publike do ta pjestonte me cenimetrat e kurrizit të lakueshëm  ndaj tundimeve partiake.

Por puna nuk përfundon këtu.

Etika e atyre që shkruajnë dhe flasin nuk kufizohet vetëm në përgjegjësinë e fjalës që mbulon një kuptim me karakter publik. Më tepër se kaq, etika e mendimit të lirë e të pavarur është sjellje, është qytetari e  guxim për të thënë atë që të tjerët hezitojnë ta thuan. Etika e mendimit të lirë është mbi politikën që kalkulon me qëndrime e veprime, që nesër mund të mos jenë domosdoshmërisht në koherencë me arsyen, por më tepër me makiavelizmin politik.

Sa ia vlenë që gazetarë e mendmitarë të ndryshëm të përdorin eshtrat e tyre për të forcuar kullat e havarisura partiake? Ose kush jep garanci se makina e pamëshirshme e makiavelzmit nesër nuk do ti bluaj ato eshtra me të cilët do ti ushqente zogjtë e uritur të meskinitetit politik.

Comments

comments