ILIRIA NEWS AGENCY: Ardhmëria e dy vendeve në NATO dhe BE Ardhmëria e dy vendeve në NATO dhe BE ================================================================================ naser pajaziti on 04/04/2012 14:45:00 Ky mesazh është dhënë sot nga kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski në një konferencë të përbashkët në Shkup. Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Veljanovski theksoi se Maqedonia çdoherë ka marrë mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësim në NATO. "Ne Shqipërinë e kemi edhe një mik në NATO dhe çdoherë prej saj marrim mbështetje për anëtarësimin tonë në Aleancë. Së bashku kemi një rrugë për integrim edhe të Maqedonisë dhe të Shqipërisë në familjen evropiane dhe jemi të bindur se shpejtë do të vijë dita kur do të jemi anëtarë të saj. Ardhmëria e Maqedonisë dhe e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian", deklaroi kryeparlamentari Veljanoski. Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Topalli theksoi se dy shtetet në të kaluarën asnjëherë nuk kanë pasur projekt më të gëzuar të përbashkët se anëtarësimi në BE dhe në NATO dhe se së bashku duke ndërtuar besim dhe marrëdhënie të mira ndërnjerëzore duhet të punojnë në interes të qytetarëve. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli theksoi se shpreson se Maqedonia do të merr sinjal pozitiv në Samitin e NATO-s në Çikago, sepse, siç tha, këtë e meriton. "Shqipëria është mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Me këtë rast dëshiroj t'i përsëris fjalët e kryeministrit tonë Sali Berisha i cili tha se Maqedonia formalisht nuk është anëtare e NATO-s, por se atë që e ka bërë, me të gjitha reformat dhe angazhimet ajo tani më është kjo që është", theksoi Topalli. Veljanoski dhe Topalli biseduan për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar dhe ekonomik, ndërsa u bë fjalë edhe për marrëdhëniet ndëretnike. "Biseduam edhe në tema të tjera dhe u dakorduam se të gjitha çështjet që paraqiten gjatë jetës së përditshme në dy shtetet është mirë që po zgjidhen në mënyrë institucionale dhe në mënyrë të shpejtë dhe efikase", tha Veljanoski. Topalli pajtohet me qëndrimin e tij dhe shtoi se me rëndësi të jashtëzakonshme dhe përgjigjje e vetme ndaj dhunës ose një incidenti të caktuar, të reagohet shpejtë, në mënyrë të duhur dhe në mënyrë institucionale. Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë pasdite do të takohet edhe me presidentin Gjorge Ivanov dhe me kryeministrin Nikolla Gruevski. (INA)