ILIRIA NEWS AGENCY: Flamuri shqiptar valëvitet në Everest Flamuri shqiptar valëvitet në Everest ================================================================================ naser pajaziti on 26/05/2012 11:51:00 Në majën më të lartë të botës, Everest, lartësi plot 8848 metra, valëvitet për herë të parë edhe flamuri shqiptar krahas atyre vendeve, përfaqësuesit e të cilëve kanë arritur ta pushtojnë "çatinë e botës". Ekipi i plotë prej gjashtë alpinistësh shqiptarë të shoqatës "Dajti Alpino-Turistik" ka mundur të ngjitet sot, në orën 7 të mëngjesit me orën lokale (01.00 pas mesnate me orën e Shqipërisë) në pikën më të lartë të malit të Everestit (Xhomolungma) dhe të gjithë rruzullit tokësor, 8848 metra mbi nivelin e detit. Ngjitja siç raporton noa.al, është realizuar me një sukses të plotë dhe të rrallë, për sa i përket numrit të plotë të alpinistëve që ia dalin mbanë, siç konfirmohet nga lidhjet dhe përditësimet e vazhdueshme me përfaqësuesin e kompanisë alpinistike, që shoqëron ekipin shqiptar, z. Pradip Kumar Limbu. Ekipi shqiptar, i nisur nga Tirana më datën 2 prill, përbëhet nga këta alpinistë, të renditur sipas moshës: Mateo Begeja (19 vjeç), Erli Rudho (22 vjeç), Gerti Pishtari (25 vjeç), Fation Plaku (37 vjeç), Gjergj Bojaxhi (38 vjeç) dhe Xhim Begeja (47 vjeç). Një kohë e gjatë aklimatizimi dhe ngjitje-zbritjesh të vazhdueshme në lartësitë 5200-7500 metra të malit, i ka paraprirë pushtimit të majës së Everestit. Kjo është strategji standarde e ngjitjes së këtij mali, për shkak të kushteve ekstreme atmosferike me erëra të fuqishme dhe temperatura deri në -400C dhe sidomos rrallimit të oksigjenit për shkak të lartësisë së madhe (në 8000 m lartësi ajri në atmosferë përmban 1/3 e oksigjenit që gjendet në nivelin e detit). Përcaktimi i ekipit të shoqatës “Dajti Alpino-Turistik” u vendos pas një kohe të gjatë stërvitore, ndërkohë që alpinistët iu nënshtruan testimeve dhe garave të ndryshme fizike. Ekspedita e të gjashtë alpinistëve shqiptarë u mbështet nga sponsorë të ndryshëm privatë dhe institucione publike, të cilët mundësuan financiarisht realizimin e saj. Alpinistët janë duke zbritur lartësi dhe pritet të mbërrijnë në atdhe në javën e parë të qershorit. Alpinistët shqiptarë ia dalin të prekin majën më të lartë të botës, majën e Everestit dhe ngrenë flamurin shqiptar në “çatinë e botës”. Alpinistët Fation Plaku, Gerti Pishtari, Mateo Begeja, Gjergj Bojaxhi, Erlin Rudho dhe Xhimi Begeja kanë mbërritur në majën e malit më të lartë në botë ditën e premte, rreth orës lokale 07:00 (+5. 45 GMT) Siç është cilësuar edhe nga kompania Nepaleze që shoqëronte ekipin, ky është një nga rastet e rralla kur ngjitja realizohet 100 % , pra, nga të gjithë anëtarët e ekipit. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, alpinistë shqiptarë arrijnë të ngjiten në majën më të lartë të botës duke e bërë këtë ngjarje akoma më speciale dhe te paharrueshme për vendin tonë që këtë vit feston 100 vjetorin e pavarësisë. Ekspedita Everest 2012 u ndërmor në kushtet më ekstreme të motit dhe të lartësisë, dhe është iniciativë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. Të gjashtë alpinistët nisën në muajin Prill ngjitjen drejt pikës majës Everest. Kjo iniciativë u sponsorizua nga Vodafone Albania, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë Kulturës dhe Sporteve si dhe një bankë private. (B.Sina/INA)