ILIRIA NEWS AGENCY: Presidenti i ri, sot takimi Berisha-Dule Presidenti i ri, sot takimi Berisha-Dule ================================================================================ naser pajaziti on 29/05/2012 09:44:00 Kryeministri Sali Berisha takohet sot me kreun e PBDNJ-it Vangjel Dule për të diskutuar në lidhje me përzgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Takimi do të zhvillohet rreth orës 09:40, në kryesinë e Kuvendit. Më herët Dule është takuar edhe me të ish-kreun e PS-së Fatos Nano, i cili është vetëshpallur kandidat për kreun e ri të shtetit duke i dhënë këtij të fundit edhe mbështetjen e tij. Ndonëse, kreu i opozitës Edi Rama ka kërkuar një takim me kryeministrin Berisha në lidhje me kandidatin për presidentin e ri të vendit, kreu i mazhorancës e ka shmangur një takim të tillë. Edhe pse kryeministri ka bërë ftesë ndaj PS për takime në kuadër të negociatave për Presidentin, ai thekson nuk e sheh domosdoshmërisht të nevojshëm takimin me Ramën, pasi sipas tij kjo mund të bëhet fare mirë përmes autorizimeve të përfaqësuesve nga të dyja palët. Më herët, grupi i PD-së i mandatuar për negociatat, nën drejtimin e lidërshipit Berisha është takuar me kreun e LSI-së, Ilir Meta, kreun e PR-së Fatmir Mediu dhe kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Ndërsa po i afrohemi votimit të parë në parlament, më 30 maj, procesi për zgjedhjen e presidentit të ri ende nuk është shpallur ndonjë emër konkret. (INA)