FIFA ‘mallkon’ Italinë, eliminimi i kushton miliona euro dëm ekonomik

Eliminimi i Italisë nga Suedia dhe mungesa në Botërorin 2018 është jo vetëm një makth sportiv, por edhe ekonomik. Nga mungesa në evenimentin në Rusi, Federata Italiane e Futbollit humbet të paktën 21 milionë euro, mes shpërblimeve të garantuara nga FIFA, të drejtave televizive dhe sponsorëve.

Me llogari të thjeshta janë 1.3 milionë që garantoheshin nga pjesëmarrja dhe 8.2 milionë euro për skuadrat që nuk arrijnë të kalojnë fazën e grupeve.

Kualifikimi në fazën tjetër do të garantonte më tepër përfitime, ndërsa pjesëmarrja të paktën në çerekfinale do ti siguronte arkave të federatës mbi 20 milionë euro të ardhura, duke qenë se ekipi kampion i botës përllogaritet të fitojë 34 milionë.

Këtyre humbjeve u shtohen edhe 4 milionë euro nga sponsorët, që aktualisht mbështesin përfaqësuesen italiane. Por, dëmi më i madh ekonomik lidhet me të drejtat televizive.

Sipas FIFA-s, eliminimi i Italisë përgjysmon përfitimet nga transmetimi. Një rënie apokaliptike, edhe sepse krahasuar me kampionatet e tjerë, në Serinë A luajnë rreth 20 për qind e futbollistëve të federuar në Europë.

Eliminimi i “të kaltërve” nga Kupa e Botës rrezikon t’i shkaktojë FIFA-s rreth 100 milionë euro humbje krahasuar me turneun e zhvilluar në Brazil.

Pa Italinë, Botërori 2018, që do të jetë evenimenti më i pasur në histori përsa i takon të ardhurave, do të jetë më i varfër. /Syri/

Comments

comments