Francë, protesta kundër reformës së punësimit

E gjithë Franca është përfshirë nga protestat kundër ndryshimeve të ligjeve të punës në vend, në atë që konsiderohet si sprova e parë e Presidencës së Emmanuel Macron.

Gjithashtu janë organizuar 4.000 greva, por dy prej sindikatave më të mëdha në vend janë distancuar nga aksioni.

Marshime po mbahen në Paris, Marsejë, Lion, Nantë dhe qytete të tjera të mëdha. E megjithatë, kreu i “Elizesë” nuk do të asistojë në trazirat, duke qenë se ka udhëtuar drejt Karaibeve për të parë shkatërrimin e lënë pas nga uragani “Irma”.

Marshimet e para u zhvilluan në Marsejë, Perpignan dhe Nicë në jug, Bordeaux në perëndim dhe Le Havre dhe Caen në veri, ku morën pjesë mijëra manifestues.

Përleshje u raportuan në Lion, ndërsa policia u përpoq të bllokonte marshin e protestuesve. Organizatorët e protestave shpresojnë për një pjesëmarrje të madhe në qendër të Parisit dhe u kërkuan punonjësve të kullës “Eiffel” të hyjnë në grevë.

Shërbimet e trenave rajonalë u reduktuan, por ato ndërqytetas vazhduan normalisht lëvizjet. Macron erdhi në pushtet me zotimin për të rishikuar Kodin e Punës e për të ulur papunësinë në 7 për qind deri në vitin 2022, nga 9.5 për qind që është tani.

Ligjet e reja u mundësojnë kompanive më shumë fleksibilitet në negocimin e pagave dhe kushteve drejtpërdrejt me të punësuarit dhe kufizojnë dëmshpërblimet për shkarkimet e padrejta nga puna. Ekipi i Macron i njoftoi planet muajin e kaluar, pas disa javësh konsultime me sindikatat dhe punëdhënësit.

/ Top Channel

Comments

comments