Gjyqtarja Daka shfaqet publikisht me një të akuzuar (FOTO)

Kryetarja e KQZ-së dhe gjyqatarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka, të premten në mbrëmje është parë me të akuzuarën Ferdije Zhushi në rastin e njohur të aktakuzës për korrupsion në Agjencinë e Akredimit të Kosovës.

Një lexues i Express ka dërguar fotot ku shihen bashkë Daka dhe Zhushi Etemi në një prej restauranteve të Prishtinës.

Kodi i  Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Gjykatës  ndalon shoqërimin me persona të cilët ia cenojnë dinjitetin e gjykatësit në ushtrimin e funksionit të tij, qofshin ata familjarë apo shoqëri.

Në këtë rast, Valdete Daka është shoqëruar në publik me Ferdije Zhushin, e cila akuzohet në rastin e aktakuzës për ryshfet në Agjencinë e Akreditimit.

Kodi i Gjykatësve, thekson se gjyqtari me sjelljet e tij në gjykatë dhe jashtë gjykatës ruan dhe avancon besimin e publikut dhe palëve në paanshmërinë e tij dhe gjyqësorit në përgjithësi.

Gjykatësit sipas Kodit, janë bartës të funksionit të rëndësishëm publik dhe i nënshtrohen vazhdimisht mbikëqyrjes nga publiku dhe sipas vullnetit të lirë pranojnë kufizimet që imponohen nga funksioni që e ushtrojnë.

Kodi i Etikës thekson se gjyqtari sillet në atë mënyrë që afirmon besimin e publikut dhe integritetin e sistemit gjyqësor dhe se gjyqtari nuk lejon që relacionet e tij familjare, shoqërore apo tjera të ndikojnë në mënyrë të padinjitetshme në ushtrimin e funksionit të tij.

Madje, Kodi thekson se gjyqtari në asnjë rrethanë nuk do ta shfrytëzojë pozitën e tij gjyqësore, as t’i lejoje të tjerët që ta shfrytëzojnë pozitën e tij për interesa private.

Në këtë rast, Valdete Daka, është shoqëruar me të akuzuarën Ferdije Zhushi, e cila akuzohet së bashku me Basri e Armend Mujën si dhe Naim Brahën.

Ky rast, përveçse është në proces gjyqësor, i njëjti mund të jetë subjekt i shqyrtimit në Gjykatën Supreme, ku Daka është gjykatëse.

Së fundi një prokuror, i cili ishte takuar me të akuzuar në Ferizaj dhe ishte publikuar, ka dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit.

Comments

comments