Google vs BE, apelohet gjoba rekord

Google ka vendosur të apelojë gjobën 2.4 miliardë euroshe të vendosur nga Komisioni Europian në muajin qershor.

Atëherë, kompania amerikane e teknologjisë nuk e komentoi vendimin e KE-së, por e kundërshtoi shkurtimisht atë. “Me respekt të thellë ndaj BE-së, ne nuk biem dakord me këtë vendim”, deklaroi një zëdhënës i Google.

Gjiganti amerikan i teknologjisë u gjobit pasi rregullatori i konkurrencës në BE gjeti me shkelje faktin që në krye të motorit të kërkimit, Google vendoste shërbimet e veta të shitjeve. Kjo u cilësua si abuzim me pushtetin që i siguron monopoli në këtë treg.

Gjoba është më e madhja e këtij lloji e vendosur ndonjëherë nga BE dhe Komisionerja për Konkurrencën, Margrethe Vestager deklaronte në qershor se Google rrezikonte të tjera penalitete nëse vazhdonte më praktikat e saj.

Vendimi i apelimit nuk ishte surprizë dhe ekspertët thonë se është hapi i parë i një beteje të gjatë ligjore mes Brukselit dhe Google, që me gjasa do të shtrihet përtej motorit të kërkimit.

Kjo është sinjalizuar nga Komisioni i Konkurencës, që i ka dhënë 90 ditë kohë Alphabet, kompanisë nënë të Google, për të hequr dorë nga praktikat antikonkuruese në treg, në të kundërt do të gjobitet deri në 5 përqind të xhiros ditore që kompania bën në rang global.

Gjithashtu, nën hetim nga BE për shkelje të ligjeve të konkurencës së unionit është edhe sistemi Android, edhe ky produkt i Google.

Comments

comments